LajmeRajon

Ka filluar takimi i Lajçakut me Osmanin, pason ai me Kurtin

Ka nisur takimi i presidentes Osmani me ndërmjetësin evropian në dialog, Miroslav Lajçak, i cili sot dhe nesër do të qëndrojë për vizitë në Kosovë.

Lajçakun më pas do ta presë kryeministri Albin Kurti në Qeveri nga ora 16:00.

Nuk është bërë e ditur nëse pas takimeve do të ketë adresime për media.

Vizita e Lajçak në Prishtinë vjen dhjetë ditë pas atij të fundit të mbajtur në Bruksel me Shefin e Diplomacisë së Jashtme të BE-së, Josep Borrell dhe Presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq.

Në takimin trepalësh të 27 shkurtit, Kurti dhe Vuçiq janë pajtuar në Bruksel që të mos ketë diskutime shtesë në lidhje me propozimin e BE-së.

Kryeministri i Kosovës tha se ishte i gatshëm ta nënshkruante planin evropian, por nuk e bëri këtë për shkak se pala serbe nuk tregoi gatishmëri.

Takimi i radhës në mes të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq, do të mbahet më 18 mars në Ohër.

Lidhur me këtë takim, Përfaqësuesi Special i Bashkimit Evropian për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Miroslav Lajçak ka thënë se pret që palët të pajtohen për rrugën e implementimit të marrëveshjes së 27 shkurtit.

“Ne presim që palët të pajtohen për rrugën e implementimit dhe për këtë palët duhet të përgatiten për konstruktivitet për propozimet, bazuar në tekstin tonë. Kjo është ajo çka unë pres që të diskutojmë me kryeministrin Albin Kurti dhe presidentin Aleksandar Vuçiq gjatë vizitës sonë në Prishtinë dhe Beograd”, është shprehur Lajçak. /Reporteri.net/

Show More

Related Articles

Back to top button