Me rastin e Ditës Botërore të Veshkave, 9 Marsit, në sheshin e Gostivarit bëhej matje pa pagesë të tensionit dhe sheqerit në gjak. Aktiviteti u organizua nga qendra e hemodializës NeFro Plus me shoqatën Nefron, me qëllim kontrollin parandalues dhe mundësinë e këshillimit për ruajtjen e shëndetit të veshkave. Dafina Stefanova, përgjegjëse e Qendrës për dializë “Nefro Plus” në Gostivar, bën të ditur se gjatë këtij muaji në Gostivar do të hapet edhe ambulantë specialistike për kontrolle të veshkave.
“Sot është Dita botërore e veshkave dhe për këtë qëllim për qytetarët e Gostivarit ne sot mundësojmë kontrolle falas për shtypjen dhe sheqerin në gjak. Me këtë, ata mund të informohen se cila është gjendja e tyre shëndetësore. Shoqata Nefron së bashku me Nefro Plus nga Gostivari, qytetarëve u jep informacion se gjatë muajit mars do të hapet ambulantë sepcialistike ku qytetarët do të mund të kontrollojnë veshkat e tyre. Grupi potencial që mund të preket nga sëmundja e veshkave janë ata me shtypje të lartë të gjakut, personat që vuajnë nga diabeti, ata me mbipeshë dhe personat që vijnë nga familje me predispozitë gjenetike”, deklaron Dafina Stefanova, përgjegjëse e Qendrës “Nefro Plus” për Dializë në Gostivar.
Aktualisht në Gostivar ka rreth 30 pacientë të cilët çdo ditë janë në dializë. Ky numër shkon deri në 90 gjatë verës, kur bashkëatdhetarët qendrojnë në vendlindje. Pacienti më i ri nga Gostivari që është në dializë ka 31 vjet, kurse më i moshuari 75. Stefanova sqaron se njëri nga këto pacientë ka 30 vite që ndodhet në dializë.
“Në Gostivar momentalisht në Nefro Plus gjatë ditës kemi rreth 30 pacientë që shkojnë në dializë, gjatë vitit ky numër rritet, sidomos kur vijnë mërgimtarët, kurse pacientë të rregullt kemi rreth 70. Gjatë verës ky numër shkon deri në 90 pacientë”, deklaron Dafina Stefanova, përgjegjëse e qendrës për dializë “Nefro Plus” në Gostivar.
Në aktivitetin e sotëm morën pjesë edhe vullnetarë të Kryqit të Kuq dhe nxënës nga shkolla e mesme e mjekësisë të Gostivarit.