Ambasadori francez në Kosovë, Olivier Guérot ka deklaruar se më së largu janari i vitit të ardhshëm mund t’i gjejë kosovarët me liberalizim të vizave. Sipas tij, kjo gjë mund të ndodh edhe më herët, nëse Sistemi Evropian i Informacionit dhe Autorizimit të Udhëtimit (ETIAS), fillon punën më herët, raporton Ekonomia Online.
“Janë 2 data të mundshme, është ose kur sistemi ETIAS fillon të punojë ose tek më e fundit 1 janari (2024). Janë diskutime teknike ku unë nuk mund të tregoj datat e sakta. Mendoj se jemi duke iu ofruar të lejojmë që të gjithë qytetarët e Kosovës të udhëtojnë pa viza për 90 ditë”, ka deklaruar ai.
Guérot foli edhe për marrëveshjen e 27 shkurtit, për të cilën tha se ka potencialin që ta ndryshojë jetën e qytetarëve.
“Mendoj që marrëveshja që është aprovuar më 27 shkurt dhe implementimi i aneksit do të diskutohet. Ka një potencial të ndryshohet për mirë çdo ditë jeta e qytetarëve, të gjithëve nga Kosova, këtu në Vushtrri dhe veçanërisht sigurisht në 4 komunat veriore. Jam konfident që po vijmë afër një zgjidhjeje që të gjithë kanë punuar shumë”.
Këto komente i Guérot i bëri gjatë një vizitë në Komunën e Vushtrrisë, ku së bashku me kryetarin Ferit Idrizi, vizituan fshatin e Prelluzhës, i banuar me shumicë serbe.