Dueli i shumëpritur do të bëhet realitet. Tyson Fury dhe Oleksandr Usyk do të ngjiten në ring për të unifikuar titujt botërorë të peshave të rënda, diçka që nuk ka ndodhur që kur Lennox Lewis u kurorëzua “I gjithëpushtetshëm” në vitin 1999.
Shoqata Botërore e Boksit (WBA) konfirmoi përballjen, që ditët e fundit dukej se ishte e pamundur kur Fury refuzoi ofertat 50-50 ose 60-40 në favor të fituesit, që Usyk ia hodhi në tavolinë.
WBA ishte e vendosur të urdhëronte një duel mes kampionit në fuqi, Usyk, dhe kundërshtarit Daniel Dubois (19-1-0, 18 KO), nëse nuk arrihej një marrëveshje me Furyn deri në orën 22:00 të së premtes.
Dhe marrëveshja erdhi: “Presidenti i WBA, Gilberto Mendoza, mori konfirmimin nga ekipet e Oleksandr Usyk dhe Tyson Fury se ka një marrëveshje për të realizuar duelin për unifikimin e titujve. Ata kërkojnë kohë për të punuar mbi kontratat dhe për të mbyllur marrëveshjen”, ka siguruar WBA në rrjetet e saj sociale.
Përballja mund të zhvillohet më 29 prill, në “Wembley” të Londrës. Daily Mail raportoi se opsioni i Arabisë Saudite përjashtohet, pasi vendi aziatik nuk mund të sigurojë që ndërtimi i stadiumit të ri, në Jeddah, të përfundojë në kohë.