Një ngjarje e rëndë ka tronditur kryeqytetin pasi u qëllua me armë në drejtim të një bar-kafeje. Për pasojë është vrarë punonjësja e lokalit dhe janë plagosur pesë persona të tjerë të cilët kanë qenë duke parë një ndeshje futbolli.
Sipas të dhënave të grumbulluara nga “Panorama”, orëve të vona të mbrëmjes së djeshme, bëhet me dije se personat kanë qëlluar nga pas në drejtim të një tavoline në të cilën kanë qenë të pozicionuar disa persona teksa shikonin TV.
Është qëlluar me dy armë, ndërkohë që plumbat kanë përshkruar të gjithë lokalin. Sipas të dhënave paraprake dyshohet se kanë qenë dy makina nga të cilat është qëlluar dhe janë larguar me shpejtësi pa mundur të shihen nga personat që kanë qenë në lokal.
Punonjësja e lokalit e cila ka qenë në këmbë ka marrë plagë ballore, ndërsa personat e tjerë që rezultojnë të plagosur dhe për fat jashtë rrezikut për jetën, janë plagosur të gjithë pas shpine, duke marrë plumba në pjesët e shpatullave, pasi kanë qenë të ulur.
Burime policore bëjnë me dije se është tentuar t’i jepet ndihma e parë edhe gruas që punonte në lokal, por ka qenë e pamundur të mbahet në jetë. Sipas të dhënave spitalore gjendja e të plagosurve që kanë qenë bashkë në të njëjtën tavolinë është e rëndë por janë të gjithë jashtë rrezikut për jetën. Policia e Tiranës doli me njoftim zyrtar për krimin e rëndë në Tiranë. Sipas bluve të Tiranës, viktima e krimit është banakierja e lokalit, Mimoza Paja.
Kush është Fatjon Murati?
Lokali në të cilin u qëllua me armë mbrëmjen e djeshme në një atentat mësohet se i përket Fatjon Muratit, të riut që kohë më parë ishte i dyshuar për një sërë ngjarjesh kriminale.
Emri i tij në fakt doli në një nga ngjarjet më të rënda të ndodhura në vendin tonë vitin e kaluar, ku në një pritë u vranë mizorisht tre të rinj, mes tyre Brilant Martinaj, nipi i Ervis Martinajt. Ambienti në të cilin u bë atentati mbrëmë rezulton në pronësi të familjes së këtij personi, ndonëse nuk dihet ende nëse është në emrin e tij apo të ndonjë personi të familjes së tij.
Fatjon Murati u ndalua nga Policia e Tiranës mbrëmjen e 8 tetorit teksa ishte duke udhëtuar me një tjetër emër të njohur të botës së krimit. Ai rezultonte i shpallur në kërkim policor, ndërsa në makinë lëvizte bashkë me Endrit Doklen. Aso kohe u tha se Fatjon Murati është një emër i njohur për drejtësinë shqiptare. Murati ishte i shpallur në kërkim nga policia, ndërsa emri i tij ka dalë edhe në masakrën me tre të vrarë në Fushë-Krujë.
Murati ka qenë një nga personazhet që është kërkuar nga Prokuroria e Kurbinit për t’u marrë në pyetje. Prokuroria e Krujës kërkoi marrjen në pyetje të disa personave në lidhje me atentatin e ndodhur të dielën në zonën e njohur si mbikalimi i FushëKrujës, ku mbetën të vrarë tre të rinjtë Brilant Martinaj, Besmir Hoxha dhe Dikler Vata.
Mes emrave që kërkon organi i akuzës të pyeten ishin Gentian Reçi, djali i ish-policit të vrarë Xhelal Reçi, numri dy i bandës së Durrësit Endrit Dokle, në lidhje krushqie me ish-policin e vrarë, dhe nipi i deputetit socialist Rrahman Rraja, Ramazan Rraja. Gjithashtu, organi i akuzës kërkoi marrjen në pyetje në lidhje me atentatin me tre viktima dhe të shtetasve Alesio Dobrozi, Rohan Brahimi dhe Fatjon Murati.
Grupi hetimor mblodhi prova të shumta në vendngjarje, dy aparate celularë pjesërisht të djegur dhe më shumë se 60 orë filmime të kamerave të sigurisë. Paraprakisht, grupi hetimit dyshon se autorët kanë qenë katër persona të përgatitur për ngjarje të tilla dhe që e njihnin mirë zonën. Tre prej tyre kanë hapur zjarr me breshëri sapo mjeti “Passat” me të cilin udhëtonin viktimat u fut në mbikalim. Vendi ishte zgjedhur me kujdes, që Martinaj, Hoxha dhe Vata të mos kishin asnjë mundësi shpëtimi.