Zëvendëskryeministri i parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog i Kosovës, Besnik Bislimi priti sot në takim ambasadorin e ri të Turqisë në Kosovë, Sabri Tunç Angili, të cilit i uroi mirëseardhje dhe suksese.
Me këtë rast, Bislimi potencoi marrëdhëniet e shkëlqyera të bashkëpunimit mes Kosovës dhe Turqisë.
Ndërsa, ambasadori u shpreh falënderues për mikpritjen në Kosovë si dhe theksoi mirënjohjen e thellë për ndihmën dhe solidaritetin e ardhur nga Republika e Kosovës ndaj popullit turk në rastin e tërmetit që ka goditur Turqinë.
Në këtë takim, siç u bë e ditur në komunikatë, u bisedua për mundësitë e thellimit të marrëdhënieve bilaterale, veçanërisht në ekonomi, ku ekziston potencial madhor në rritjen e bashkëpunimit mes dy vendeve.
Zëvendëskryeministri Bislimi foli dhe për objektivat strategjike të Kosovës, siç janë anëtarësimi në Këshillin e Evropës, rrugëtimi drejt Bashkimit Evropian, përfundimi i procesit të liberalizimit të vizave dhe aplikimi në Partneritetin për Paqe në NATO.
“Palët potencuan dhe rëndësinë e nevojën për stabilitet, paqe dhe siguri në rajonin e Ballkanit Perëndimor si dhe biseduan edhe mbi procesin e dialogut.”, u bë e ditur tutje në komunikatë.