LajmeMaqedoni

Lideri i BDI, Ali Ahmeti takoi ambasadorin e ri të Kosovës, Florian Qehaja

Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti ka pritur sot në Reçicë të Vogël, ambasadorin e ri të Republikës së Kosovës në Shkup, z. Florian Qehaja, transmeton Flaka. Kryetari Ahmeti me këtë rast uroi për emërimin ambasador të z. Qehaja dhe i përcolli bindjet e tija dhe të bashkë partiakëve se bashkëpunimi i mirë dhe efikas me Republikën e Kosovës do të vazhdojë të zhvillohet me intensitet edhe më të madh.Temë diskutimi gjatë takimit mes kryetarit Ahmeti dhe ambasadorit Qehaja ishin marrëdhëniet e mira dypalëshe, të cilat për bazë kanë përkrahjen e dyanshme dhe dialogun e hapur ndërmjet dy vendeve.

Projektet infrastrukturore gjithashtu ishin pjesë e bisedës gjatë këtij takimi, duke përfshirë këtu punimet në autostradën Shkup – Bllacë, Korridorin 8, rruga Tetovë – Prizren, si dhe projektet tjera të rëndësishme për lidhjen jo vetëm të Maqedonisë së Veriut me Kosovën, por të gjithë Ballkanit Perëndimor.

Ahmeti dhe Qehaja biseduan edhe për projektin One Stop Shop, i cili duhet të nis të zbatohet së shpejti dhe përmes të cilit do të largohen kufijtë dhe do të bëhen lehtësime në lëvizje për qytetarët dhe mallrat.

Njëkohësisht, kryetari Ahmeti i ka thënë ambasadorit Qehaja se Maqedonia e Veriut, përkatësisht përfaqësuesit e Qeverisë kanë dhe do të vazhdojnë të mbajnë qëndrim afirmues deri në anëtarësimin e Republikës së Kosovës në të gjitha organizatat dhe iniciativat rajonale dhe europiane.

Nga ana e tij ambasadori Qehaja i ka përcjellë kryetarit Ahmeti falënderimet e tij dhe shtetit të Kosovës për bashkëpunimin e ngushtë dhe efikas ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës në sfera të ndryshme të cilat janë në interes të përbashkët. Qehaja gjithashtu ka falënderuar Ahmetin dhe Bashkimin Demokratik për Integrim për angazhimin sistematik që i japin institucioneve të Republikës së Kosovës drejt aspiratave euroatlantike dhe për gatishmërinë që të përcjellin përvojat në këtë plan.

Në fund të këtij takimi, të dy bashkëbiseduesit u dakorduan se bashkëpunimi ndërmjet dy vendeve fqinje do të vazhdojë të thellohet, në veçanti në avancimin e bashkëpunimit ekonomik, lidhjen sa më të shpejtë infrastrukturore dhe integrimet euroatlantike.

Show More

Related Articles

Back to top button