Punonjësit e Drejtorisë për Udhëheqjen e Librave Amë prej të enjtes do të ndërpresin grevën dhe do të kthehen në vendin e punës për tu shërbyer qytetarëve, shkruan Alsat.
Kjo pasi Sindikata e pavarur e punonjësve në Librat Amë dhe Drejtoria kanë gjetur gjuhë të përbashkët dhe kanë nënshkruar Marrëveshje kolektive. Nga Sindikata thonë se e pezullojnë grevën deri në fund të muajit të ardhshëm, për të parë nëse Qeveria do të rrisë pagat sipas Marrëveshjes.
Të gjithë do të jenë në vendet e punës prej të enjten. Por greva do të jetë në pauzë deri më 20.07.2022, ndërsa më pas do të vendosim se si, në qoftë se nuk na gjendet zgjidhje për atë pjesën financiare të cilën Qeveria duhet ta zgjidh për neve sipas Marrëveshjes Kolektive, tha Toni Millosheski, Sindikata e pavarur i të punësuarve në Librat Amë.
Drejtori i Drejtorisë për udhëheqjen e Librave Amë, Blerim Abazi tha se e ka informuar Qeverinë për marrëveshjen e arritur me punonjësit dhe pret që së shpejti Qeveria të marr vendim edhe për rritjen e pagave për 30%.
“Me Marrëveshjen kolektive konstatohen kriteret për pushim vjetor, mungesat me pagesë ose pa pagesë, kontributet e rrogës dhe të ardhura të tjera. Pagesën e regresit për pushimin vjetor, shtresën e pagës, pagesën e çmimit jubilar e kështu me radhë. Si të drejtë të cilën sindikata dhe punëdhënësi e konstatojnë në këtë Marrëveshje kolektive është që paga minimale të jetë pagë bazë”, theksoi Blerim Abazi, Drejtor i drejtorisë për udhëheqjen e librave Amë.
Të punësuarit në Drejtorinë për Udhëheqjen e Librave Amë, filluan grevën shtatë javë më parë, pasi siç thonë ata, nuk kanë marrë disa paga, K15, ditët shtesë të punës. Numri i madh i të punësuarve kanë marrë pagë prej 16 000 ose 17 000 denarë që është nën pagën minimale./Alsat.mk