LajmeMaqedoni

Mbikëqyrja e Korridorit 8 dhe 10-D, 23 ekspert pa dokumente përkatëse

Për 23 nga 81 ekspertët e angazhuar nga kompanitë për mbikëqyrjen e punimeve në Korridoret 8 dhe 10-D mungojnë dokumentet kyçe të marrëveshjeve për angazhimin e tyre në kompanitë për mbikëqyrje apo kompanive lokale ndihmëse. Sipas Ligjit për Ndërtim, kompania që kërkon licencë A për ndërtim duhet të ketë të paktën 4 inxhinierë të punësuar. Të pyetur se kush janë inxhinierët me të cilët kompania “Elektra Sollushëns” ka kërkuar dhe fituar licencën A për ndërtim, nga Ministria e Transportit dhe Lidhjeve në një qëndrim për emisionin “360gradë” në Alsat kanë deklaruar se nuk mund të japin të dhëna personale.

“Elektra Sollushëns Shkup i ka përmbushur kushtet duke dëshmuar veprimtarinë e saj dhe 4 inxhinierët e diplomuar, të angazhuar në mënyrë përkatëse për kryerje të mbikëqyrjes. Për emrat dhe punësimin e tyre, ju informojmë se në përputhje më Ligjin për Informata me Karakter Publik, informacionet e kërkuara paraqesin të dhëna personale dhe shpërndarja e tyre paraqet shkelje ligjore”, thonë nga Ministria e Transportit dhe Lidhjeve.

Nga Ndërmarrja Publike për Rrugë Shtetërore kanë deklaruar se të gjithë të angazhuarit e potencuar gëzojnë marrëveshje për angazhim në kohë të pacaktuar, por dëshmi nuk mund të ofrojnë. Drejtori i Rrugëve Shtetërore, Ejup Rrustemi thotë se afati i tenderit për mbikëqyrje nuk është vazhduar për të favorizuar një kompani, por është bërë me kërkesë të operatorëve teknik.

“Është kërkuar nga më shumë operatorë. Ata kanë kërkuar afat dy, tre ose katër javë afat. Kur i analizuam të gjithë kërkesën për prolongimin e afatit e kemi zgjatur vetëm për 8 ditë pasi kërkesa e tyre bazohej në atë se ishin kompani të huaja dhe dokumentacioni duhej të përkthehej në gjuhën maqedonase”, deklaroi Ejup Rrustemi, Drejtor i NP Rrugët Shtetërore.

Nga dokumentet publike dëshmohet se kompania përmes së cilës do të kalojë shuma më e madhe e parave për mbikëqyrje “Elektra Sollushëns” ka vetëm 4 të punësuar për të cilët data e punësimit figuron 20 tetori i vitit 2022, ndërsa kërkesën për licencë e kishte parashtruar më 27 shtator. Kjo ka ngritur dilemën pse kompania “Elektra Sollushëns” nuk i ka përfshirë në mbikëqyrje inxhinierët përmes të cilëve ka fituar licencën A për mbikëqyrje të ndërtimeve. Javën e kaluar Alsat raportoi se pjesa më e madhe e shumës prej 22,3 milion euro për mbikëqyrje do të arkëtohet në xhiron e kompanisë “Elektra Sollushën” edhe pse IRD Inxhiniering është udhëheqëse e grupit mbikëqyrës. “Elektra Sollushën” përvojën më të madhe si kompani e posedon në prodhimin e veshjeve të brendshme. /Alsat.mk

Show More

Related Articles

Back to top button