LajmeRajon

Osmani: Serbia të penalizohet për shkeljen e marrëveshjes së Ohrit

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se pa kaluar 24 orë nga pajtimi për aneksin e zbatimit të marrëveshjes drejt normalizimit mes Kosovës dhe Serbisë, Beogradi deklaroi se nuk do ta zbatojë atë.

Osmani, gjatë një prononcimi për media, i ka bërë thirrje komunitetit ndërkombëtar që ta drejtojnë “presionin mbi Serbinë” që të respektojë obligimet që ka marrë nga marrëveshja bazë e arritur në Bruksel më 27 shkurt, dhe nga Aneksi, për të cilën palët u dakorduan në Ohër më 18 mars.

“Mendoj që të gjitha përpjekjet, i gjithë presioni, angazhimi i komunitetit ndërkombëtar duhet të jetë pikërisht te (presidenti i Serbisë, Aleksandër) Vuçiqi që ato për të cilat ai është dakorduar, që në esencë përbëjnë njohje de facto të Kosovës – sepse kur ja njeh dikujt sovranitetin, kur e njeh si të barabartë në relacionet ndërshtetërore, kur ja njeh dikujt integritetin territorial, këto janë elementet shtetërore të shtetësisë. E vetmja që mungon është një letër njohjeje të cilën nuk e ka nënshkruar. Por, përderisa Vuçiqi refuzon t’i zbatojë këto, atëherë kjo vërtetë rrezikon gjithçka. Shpresoj shumë që do të ketë penalizim të qartë nga komuniteti ndërkombëtar për Serbinë”, ka thënë Osmani.

Më tutje, Osmani ka thënë se presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, ka shkelur nenin 4 të marrëveshjes, që thotë se Serbia nuk do të kundërshtojë anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare.

Show More

Related Articles

Back to top button