LajmeRajon

PE-ja miraton në lexim të dytë rekomandimin për liberalizim vizash

Komiteti i Parlamentit Evropian për Liritë Civile, Drejtësi dhe Çështjet e Brendshme e ka votuar në lexim të dytë projekt-rekomandimin që Kosovës t’i hiqet regjimi i vizave nga ana e Bashkimit Evropian.

Me 47 vota pro, 8 kundër dhe 4 abstenime, komiteti dha dritën jeshile për miratimin përfundimtar të legjislacionit, i cili do t’i lejojë qytetarët e Kosovës të udhëtojnë në BE – dhe qytetarët e BE-së të shkojnë në Kosovë – pa pasur nevojë për vizë, për periudhë deri në 90 ditë.

Eurodeputeti holandez, Thijs Reuten, ishte raportuesi i Parlamentit Evropian për liberalizimin e vizave për Kosovën.

Komisioni për Liritë Civile miratoi në janar marrëveshjen e arritur me Këshillin në dhjetor 2022 për liberalizimin e vizave me Kosovën. Puna për dosjen filloi gjatë legjislaturës 2014-2019 dhe Parlamenti e mbylli qëndrimin e tij në lexim të parë në fund të atij mandati. Pas marrëveshjes së trilogut të dhjetorit dhe miratimit nga Këshilli të pozicionit të tij në leximin e parë më 10 mars, Parlamenti do të japë miratimin përfundimtar gjatë seancës plenare të 17-20 prillit në Strasburg.

Liberalizimi i vizave do të hyjë në fuqi sapo të jetë vendosur Sistemi Evropian i  Informacionit dhe Autorizimit të Udhëtimit (ETIAS), dhe në çdo rast deri në vitin 2024. /klankosova

Show More

Related Articles

Back to top button