Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka apeluar Operatorët e Turizmit Detar që të certifikohen nga Ministria e Turizmit.
Përmes një postimi në facebook, shefi i qeverisë bën me dije se aplikimet janë të hapura për certifikimin e subjekteve që ofrojnë mjete apo aktivitete lundrimi për qëllime turistike duke nisur nga motorët e ujit dhe deri tek motoskafët e anijet turistike.
Ai nënvizon se të gjitha subjektet e palicensuara që do të ushtrojnë aktivitetin në mënyrë të paligjshme do të ndalohen dhe do të gjobiten, si dhe do t’i konfiskohen mjetet.
“Me sezonin e ri turistik, i cili këtë vit po afrohet më shpejt dhe edhe më i mbarë se i shkuari, Operatorët e Turizmit Detar duhet medoemos të çertifikohen zyrtarisht nga Ministria e Turizmit dhe Mjedisit.
Aplikimet janë të hapura për të gjitha subjektet që ofrojnë mjete apo aktivitete lundrimi për qëllime turistike duke nisur nga motorët e ujit dhe deri tek motoskafët e anijet turistike, të cilat jo vetëm do të gjobiten, po edhe do të bllokohen e do të konfiskohen në rast mungese të çertifikatës përkatëse”, shkruan Rama në facebook.