LajmeRajon

Osmani: Drejtësia për viktimat e regjimit serb dhe zbardhja e fatit të të zhdukurve janë kërkesat tona

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka përkujtuar 24-vjetorin e masakrave në Pastaselë të Rahovecit dhe atë në Burim të Malishevës.

“Sot kujtojmë masakrën e kryer nga forcat e regjimit gjenocidal të Serbisë në Pastaselë të Rahovecit, me ç‘rast u vranë dhe u masakruan 106 banorë të këtij fshati dhe fshatrave përreth. Në të njëjtën ditë në Burim të Malishevës, u vranë dhe u masakruan 42 civil.”

“Dhembja vazhdon të jetë po kaq e madhe sikur në ditën e vrasjes së tyre, ndërsa kujtimi për ta i përhershëm.”

“Drejtësia për viktimat e regjimit serb dhe zbardhja e fatit të të zhdukurve me dhunë janë kërkesa të përhershme tonat, nga të cilat ne nuk heqim dorë”.

“Përgjegjësit për Masakrën e Pastasellës mbesin ende të pandëshkuar”

Kryetari i Aleancës për Ardhmerinë e Kosovës, Ramush Haradinaj ka përkujtuar të vrarët në masakrën e Patasellës 24 vjet më parë nga forcat serbe.

Ai ka thënë se përgjegjësit për krimin mbeten ende të padënuar.

“Kujtojmë motrat e vëllezërit tanë, që u martirizuan 24 vjet më parë në Pastasel të Rahovecit. Dora barbare, nuk i kurseu as të miturit, as gratë e pleqtë, në tentim të zhbërjes së qenies tonë. Përgjegjësit për këtë krim makabër mbesin ende të pandëshkuar! Përjetësisht të përulur para sakrificës së madhe, që kurrë nuk e harrojmë.Lavdi!  “, ka shkruar Haradinaj në Facebook.

Zbulohet Pllaka Përkujtimore në Pastasellë ku nga forcat serbe u masakruan 106 persona

Sot në Pastaselllë të Rahovecit do të zbulohet Pllaka Përkujtimore e dëshmorëve dhe martirëve të rënë në masakrën në fshatin Pastasellë të Komunës së Rahovecit.

Në këtë ngjarje e cila do të mbahet në ora 11: 00 do të marrë pjesë edhe kryeministri i Kosovës Albin Kurti.

24 vjet nga masakra në Burim të Malishevës

Sot mbushen 24 vjet nga ngjarja më e rëndë në Malishevë, përkatësisht nga masakra e forcave serbe në Burim, ku u vranë dhe u masakruan 42 civilë shqiptarë.

Masakra në Burim është masakra më e madhe që ka ndodhur në Malishevë gjatë luftës së fundit, ndërsa deri më sot, për këtë ngjarje dhe për asnjë vrasje tjetër gjatë luftës, nuk është dënuar askush.

Më 31 mars 1999, te vendi i quajtur Vrella e Mëhillit në Burim të Malishevës, u vranë dhe u masakruan 42 civilë, shumica prej tyre nga fshatrat Dragobil dhe Astrazup, si dhe tre banorë të Suharekës, të cilët ishin strehuar në këtë pjesë. Po në këtë ditë, në fshatrat tjerë janë vrarë dhe masakruar edhe civilë të tjerë.

​24 vjet nga masakra në Pastasellë të Rahovecit

Masakra në Pastasellë të Komunës së Rahovecit është një nga masakrat më të tmerrshme që kanë bërë forcat kriminale serbe gjatë luftës së Kosovës të vitit 1999.

Në këtë masakër janë vrarë dhe masakruar 106 persona nga ky fshat dhe fshatrat tjera përreth.

Edhe sot e kësaj dite nga kjo masakër ende ka familjarë që kërkojnë t’i kthehen trupat e më të dashurve të tyre, të cilët edhe pas 24 vjetësh figurojnë të pagjetur.

Në këtë masakër përpos vrasjes dhe masakrimit nga forcat serbe, të vrarët më pastaj edhe janë djegur. Në këtë masakër kanë mbijetuar 13 persona.

Ndryshe, për vrasjen dhe masakrimin e 106 martirëve, deri më tani nuk është dënuar asnjë serb që ka marrë pjesë në masakrën e fshatit Pastasellë.

Show More

Related Articles

Back to top button