Policia e Kosovës ka bërë të ditur se në orët e para të së premtes janë djegur tri vetura me targa RKS – Republika e Kosovës – të cilat u përkasin banorëve të nacionalitetit serb në veri.
Sipas Policisë, një veturë është djegur në Zveçan dhe dy të tjera në Mitrovicë të Veriut.
Dy vetura tjera me targa RKS, në pronësi të serbëve lokalë janë djegur edhe më 30 mars.
“Sikurse edhe në rastin e parë, edhe në rastin e dytë, pas pranimit të informacioneve, njësitet policore menjëherë kanë dalë në vendin e ngjarjes duke angazhuar njësitë kompetente policore, përfshirë forenzikën, të cilat kanë ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore”, është thënë në komunikatën e Policisë.
Raste të ngjashme në veri janë raportuar edhe në fund të vitit të kaluar.
Asokohe në veri ka pasur tensione, lidhur me vendimin e Qeverisë së Kosovës që të gjitha makinat me targa ilegale serbe të riregjistrohen në RKS.
Në shenjë pakënaqësie me këtë vendim, por edhe për shkak të arrestimit të një ish-polici serb të Kosovës, serbët lokalë patën ngritur barrikada.
Më pas, Kosova dhe Serbia, nën ndërmjetësim të Bashkimit Evropian kanë arritur marrëveshje për targat.
Kosova ka hequr dorë nga masat ndëshkuese, nëse nuk bëhet riregjistrimi i makinave, derisa Serbia ka thënë se nuk do të lëshojë më targa të reja për makinat që qarkullojnë në Kosovë.
Ministria e Punëve të Brendshme e Kosovës nuk ka treguar se sa makina me targa të tilla janë riregjistruar në RKS.
Vlerësohet se në veriun e Kosovës janë rreth 10.000 makina me targa të lëshuara nga Serbia./REL/