LajmeMaqedoni

Gjyqi për sulmin ndaj Pendikovit , i akuzuari tha se është i pafajshëm

Prokuroria pretendon se mbrëmjen e 19 janarit, Ilija Spasevski në restorantin ku qëndronte Pendikov, kishte shkuar në tavolinën e tij dhe i ka thënë: “Nuk të vjen turp që të shkruhesh si bullgar?” Më pas, në orën 21:30, Pendikov ka dalë nga objekti dhe i akuzuari së bashku me një person tjetër të panjohur e kanë ndjekur dhe e kanë sulmuar. Ndërkohë, siç tha prokurorja, dikush u ka bërtitur që ta linin ose do të njoftonin policinë.

“Ilia Spasevski ka thënë: Nuk ia vlen për një bullgar të thërrasësh policinë. Të mos mbetet asnjë dhe i kanë shkaktuar lëndime të rënda fizike në krahë dhe në këmbë”, tha Viktoria Kovaçeska Manduloska- Prokurore Publike.

Në seancë u prezantuan edhe video prova nga kamerat e sigurisë në zonë, ku shiheshin dy persona duke goditur Pendikovin dhe një person i tretë që shikonte nga anësh.

Por sipas avokatit të të akuzuarit, provat nuk vërtetojnë se Ilia ka qenë pjesëmarrës në ngjarje dhe se ka plagosur Pendikovin.

„…Keni parë incizimet, ku prokurori thotë: ‘Mendoj se është ai’. Nuk duhet dikush të mendojë se është ai apo ky. Duhet të ketë prova nga të cilat duhet vërtetuar në mënyrë të padiskutueshme”, u shpreh Dimitria Coboski-avokat i të akuzuarit.

Pendikov, i cili menjëherë pas ngjarjes u dërgua në Sofje me avion të qeverisë bullgare për mjekim, nuk u paraqit sot në gjyq, megjithëse ishte i ftuar siç duhet. Avokati i tij pretendon se ai ka probleme shëndetësore.

“Hristian Pendikov do të shfaqet, natyrisht, kur të përfundojë trajtimi i tij. Ai tani është në gjendje më të mirë shëndetësore… Ju lutem pa sensacione… Në seancën e radhës nuk e di nëse do të paraqitet…”, tha Stefan Kamishevski-avokat i Hristijan Pendikov.

Rasti përkeqësoi marrëdhëniet tashmë të acaruara midis Maqedonisë dhe Bullgarisë. Gjyqi i radhës është caktuar për 31 maj. /Alsat.mk

Show More

Related Articles

Back to top button