Kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta ka zhvilluar një takim me kreun e PD-së Sali Berisha, në selinë blu. Në përfundim, ish-Presidenti Meta ka pasur një prononcim për shtyp. Ai theksoi se takimi kryhet si pjesë e koordinimit të vazhdueshëm mes partive në zgjedhjet e 14 Majit.
“Ju kam thënë që jemi në një koordinim të vazhdueshëm dhe perfekt në kuadër edhe të koalicionit “Bashkë Fitojmë” dhe afrimit të kësaj dite të madhe të ndëshkimit të monizmit më 14 Maj dhe të triumfit të ndryshimit. Ky është një bashkim për ndryshim, jo një bashkim për pushtet”, u shpreh Meta.
Meta tha se opozita synon fitore në të gjitha qytetet kryesore të vendit.
“Shkodra nuk ka mundësi më shumë se 5 me 0, se aq janë 5 njësi. Qarqet e tjera, opozita synon për një fitore në të gjithë qytetet kryesore të vendit, sidomos në të gjithë bashkitë ku ne kandidojmë dhe absolutisht do të ketë shumicën fituese koalicioni “Bashkë Fitojmë” në të gjithë këshillat bashkiakë kudo”, tha Meta.
I pyetur për rritjen e pagës mesatare, të njohur këtë të premte nga Kryeministri Edi Rama, Meta tha se qytetarët janë mësuar me mashtrimet e përsëritura sipas tij të kreut të qeverisë.
“Qytetarët janë mësuar me mashtrimet e përsëritura të Edi Ramës. E dinë sa falas është shëndetësia sot në vitin e 10 të qeverisjes së tij. E dinë që Rama kujtohet vetëm pak javë para se t’i drejtohen kutive të votimit”, tha ai./tvklan.al