LajmeRajon

ODIHR, 324 vëzhgues për 14 Majin 

324 vëzhgues të huaj do të monitorojnë zgjedhjet vendore të 14 Majit. Në të parën dalje për mediat, shefja e misionit të ODIHR-it pas mbërritjes në Shqipëri  tha se vota e qytetarëve duhet të numërohet korrekt.

“Ajo që është e rëndësishme është që zgjedhësit të kenë besim tek integriteti i procesit zgjedhor. Zgjedhësit duhet të kenë mundësinë të votojnë të lirë e të sigurtë dhe vota e tyre të numërohet e llogaritet korrekt.”

Për të pasur një proces zgjedhor transparent, shefja e misionit të ODIHR-it u shpreh se nevojitet që kandidatët duhet të garojnë në kushte të barabarta.

“Kandidatët gjithashtu duhet të luajnë në kushte të barabarta. Votuesit duhet të jenë të garantuar, që rezultatet e tyre të nxirren dhe shpallen në mënyre korrekte. Që të ndodhë kjo zgjedhësit duhet të zgjedhje reale mes kandidatëve të ndryshëm.”

Misioni pritet të nisë takimet me institucionet që kanë për detyrë përgatitjen e zgjedhjeve dhe partitë politike dhe Glover nuk përjashtoi një takim edhe me Kryetarin e Partisë Demokratike, Sali Berisha, pavarësisht shpalljes “non grata” nga SHBA.

“Do të isha shumë e lumtur të takoja me cilido që është i përfshirë në këtë proces zgjedhor”.

E pyetur nga mediat nëse Kryeministri Rama ka shkelur Kodin Zgjedhor lidhur me vendimin e qeverisë për rritjen e pagave dhe pensioneve në prag të zgjedhjeve lokale, Glover tha se misioni është duke e vëzhguar situatën me kujdes.

“Ne jemi duke i vëzhguar me shumë kujdes këto zhvillime për të parë nëse përbëjnë shkelje dhe deri në çfarë mase përbëjnë shkelje”.

Financimi i fushatës elektorale dhe liria e medias do të jenë në fokus të punës së vëzhguesve të OSBE-ODIHR-it, gjetjet e të cilave do të paraqiten në raportin e ndërmjetëm përpara zgjedhjeve dhe atë përfundimtar 8 javë pas mbajtjes së tyre.

Show More

Related Articles

Back to top button