Kosova dhe Shqipëria kanë nënshkruar protokollin që përmirëson më tej regjimin e lëvizjes së lirë ndërkufitare për banorët e zonave në të dy anët e kufirit.
Firma është vënë në Tiranë nga ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla dhe homologu i tij, Bledi Çuçi.
Sipas dy ministrave, ky protokoll është një tjetër hap përpara në procesin e lehtësimit, meqë krahas lirisë së lëvizjes më këmbë shtohet dhe kalimi me automjete për nevoja të jetës së përditshme të këtyre banorëve.
“Jam i bindur që me këtë ne do t’i përafrojmë jo vetëm institucionet por edhe qytetarët e dy vendeve tona dhe po ashtu jam i bindur, duke ditur edhe bashkëpunimin e deritanishëm, që kjo nuk do të jetë as marrëveshja e fundit por do të jetë një vazhdimësi e shumë marrëveshjeve të cilat i kemi nënshkruar dhe do të vazhdojmë t’i nënshkruajmë së bashku deri sa të vijë koha që realisht qytetari i dy vendeve të mos ta dijë se ku ndodhet apo ku punon”, ka deklaruar Sveçla.