Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, është duke qëndruar në Forumin e Prespës që po mbahet në Ohër të Maqedonisë së Veriut. Shefja e shtetit ka takuar sot tre emisarët, amerikanin Gabriel Escobar, britanikun Stuart Peach dhe gjermanin Manuel Sarrazin, raporton Gazeta Express.
Osmani thotë se në këto takime e ka theksuar qëndrimin se integrimi i Kosovës dhe vendeve të tjera të rajonit në strukturat euro-atlantike është përgjigja e vetme për të parandaluar agjendën ruse dhe të satelitëve të Moskës për destabilizim dhe ndikim të keq në rajon.
“Integrimi i Kosovës dhe vendeve të tjera demokratike të rajonit në strukturat euro-atlantike është përgjigja e vetme për ta parandaluar agjendën destablizuese dhe ndikimin keqdashës të Rusisë dhe satelitëve të saj në rajonin tonë.
Këtë qëndrim e rikonfirmova në takime të ndara me të dërguarin e posaçëm të Shteteve të Bashkuara, z. Gabriel Escobar, të dërguarin e posaçëm të Mbretërisë së Bashkuar, z. Stuart Peach si dhe me të dërguarin e posaçëm të Gjermanisë, z. Manuel Sarrazin”, ka thënë Osmani.