LajmeRajon

Çekia do ta emërojë ambasadorin e parë të saj në Kosovë

Presidenti çek Petr Pavel është gati ta emërojë ambasadorin e parë që do të punojë në Ambasadën Çeke në Kosovë.

Republika Çeke, do të ketë kështu një ambasador në Prishtinë për herë të parë që prej se e ka njohur Pavarësinë e Kosovës në vitin 2008.

Edhe pse Republika Çeke ka ambasadë në Kosovë, nuk ka pasur kurrë një ambasador të plotfuqishëm. Kjo është penguar nga kundërshtimi i ish-presidentëve Vaclav Klaus dhe Milosh Zeman, të cilët nuk u pajtuan me njohjen e pavarësisë së Kosovës.

I pyetur nëse Paveli do të emërojë një ambasador në Kosovë, ekipi i tij u përgjigj se presidenti është i gatshëm ta ndërmarrë këtë hap, shkruajnë sot mediat çeke.

Sipas raportimeve të mediave çeke, të mërkurën qeveria ka diskutuar tashmë për një diplomat specifik që do ta marrë detyrën e ambasadorit në Kosovë.

Mirëpo, Ministria e Punëve të Jashtme nuk pranoi të komentonte lidhur me emrin.

Zëdhënësi i Ministrisë, Daniel Drake ka deklaruar vetëm se duan të vendosin marrëdhënie me Kosovën në nivel ambasadori.

“Duhet të korrigjohet situata absurde kur Çekia e njeh pavarësinë e Kosovës, ka ambasadë në vend, por nuk ka ambasador”, tha Drake.

Shumica e vendeve anëtare të OKB-së e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, por këtë hap nuk e kanë ndërmarrë disa vende të BE-së, përfshirë Sllovakinë, Spanjën dhe Greqinë.

Ish-presidenti çek Millosh Zeman mbante marrëdhënie shumë miqësore me Serbinë. Në vitin 2019, gjatë një prej vizitave të tij në Beograd, ai deklaroi se dëshironte të negocionte me qeverinë çeke për revokimin e njohjes së Kosovës. Megjithatë, kjo nuk ndodhi në fund.

Show More

Related Articles

Back to top button