LajmeMaqedoni

Kumanovë, zhvillohet pa pengesa vaksinimi kundër fruthit

Vaksina kundër fruthit, shytave dhe rubeolës, është një nga vaksinat më të rëndësishme për fëmijët. Kjo vaksinë merret pas ditëlindjes së parë e që pason edhe në klasën e parë apo në moshën 7 vjeçare. Vaksina merret kundër këtyre sëmundjeve virusale të cilat përcillen përmes ajrit, pështymës, por edhe përmes kontaktit direkt. Nga IShP “Shtëpia e Shëndetit”, Kumanovë, për programin tonë deklarojnë se interesimi nga ana e prindërve për t’i vaksinuar të vegjlit e tyre ka, por nga ana tjetër edhe ka prej tyre që e kundërshtojnë këtë proces.

“Tek ne në RMV në kalendarin e Imunizimit është e detyruar që kjo vaksinë të merret dhe ka të interesuar që e marrin, numri varet nga vendi në vend, prej komunës në komunë, disa nga prindërit janë kundër. Numri i vaksinimit për “MRP” është duke shënuar rritje, për shkak të frikës nga rasti i fundit që ndodhi në Shtip.”,- deklaroi dr. Harja Canoska Ramadani nga IShP “Shtëpia e shëndetit”, Kumanovë.

Doktoreshë Hajra, na njoftoi edhe me simptomat dhe rrezikshmërinë e kësaj sëmundje virusale.

“Sëmundja e fruthit paraqitet me temperaturë të lartë, me skuqje të syve, lotim të tyre. Terapi për këtë nuk ka, për shkak se është virus dhe kalon vetvetiu, por në qoftë se nuk kalon, atëherë kemi komplikime të cilat vijnë deri në ndezje të syrit, veshit, mushkërive dhe më e keqja është ndezje në tru, e cila është vdekjeprurëse.”, – theksoi dr. Harja Canoska Ramadani nga IShP “Shtëpia e shëndetit”, Kumanovë.

Nga IShP “Shtëpia e Shëndetit”-Kumanovë, apelojnë deri te prindërit që me kohë t’i sjellin fëmijët e tyre për t’i vaksinuar, me qëllim parandalimin e përhapjes së fruthit, por edhe sëmundjeve të tjera virusale.

Show More

Related Articles

Back to top button