Kryesuesi i OSBE-së dhe ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani sot do të ketë video-fjalim hapës në Konferencën e 23-të të Aleancës për Luftën Kundër Tregtisë me Njerëz të titulluar “Lidershipi Nacional për t’i dhënë fund tregtisë me njerëz”.
Fokusi i Konferencës, siç kumtoi MPJ, do të jetë prezantimi i natyrës dhe shtrirjes së problemit të eksploatimit me njerëz dhe pse lidershipi i fuqishëm është i nevojshëm për t’i tejkaluar sfidat.
Osmani do t’i trajtojë prioritetet e kryesimit të Maqedonisë së Veriut për ballafaqimin me tregtinë me njerëz, problem i cili, pavarësisht gjithçkaje, është ndër shkeljet më të përhapura të të drejtave të njeriut në rajonin e OSBE-së.
“Diskutimi në Konferencë do të ketë për qëllim që të nxjerrë në pah shembuj pozitivë të lidershipit kundër tregtisë me njerëz në rajonin e OSBE-së, duke përfshirë pajisjen e shteteve me strukturat dhe ligjet e nevojshme për të luftuar efektivisht këtë lloj veprimi kriminal”, thuhet në kumtesë.
Rekomandimet nga Konferenca do të jenë konfirmim i përkushtimit për çrrënjosjen e tregtisë me njerëz dhe udhërrëfyes për zbatimin e Planit të Veprimit të OSBE-së në 20 vitet e ardhshme.