LajmeMaqedoni

“VMRO është kundër shqiptarëve, Korridorit 8, BE-së dhe SHBA-së”

Nga Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) sot përmes një kumtese kanë reaguar ndaj VMRO-DPMNE-së. Nga BDI, thonë se VMRO-ja tjetër gjë deklaron në takime, tjetër para opinionit. Sipas BDI-së, VMRO është kundër Korridorit 8, anëtarësimit të vendit në BE dhe kundër shqiptarëve në vend.

“VMRO DPMNE opozitare konfirmon për çdo ditë se është e orientuar rrënjësisht kundër shqiptarëve në vendin tonë, kundër ndërtimit të Korridorit 8, kundër integrimit në Bashkimin Europian dhe miqësisë strategjike me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Fushata brutale e pakuptimtë dhe e pasinqertë e VMRO-së kundër ndërtimit të projektit më të madh infrastrukturor në historinë e vendit tonë është hipokrizi e plotë. Një gjë thonë në takime të mbyllura, tjetër gjë në opinion”, deklarojnë nga BDI.

Nga atje shtojnë se përpjekjet e VMRO-së për të konkurruar në një garë të vdekur me Levicën se kush është më antishqiptar, e kthen vendin para  vitit 2001.

“VMRO është kundër gjuhës shqipe dhe Marrëveshjes Kornizë të Ohrit. Bllokimi i integrimit të vendit në BE dhe i miqësisë me SHBA-në nga VMRO-ja, ka për qëllim përforcimin e pranisë ruse në vend dhe në rajon”, nënvizojnë nga BDI.

Sipas tyre, publikimi i një fotografie të Mickoskit me uniformë të kamufluar, me kallashnikov të zbrazur dhe i rrethuar nga gra dhe fëmijë, si dhe thirrjet për luftë në Kuvend nga Nikollovski, kanë për qëllim destabilizimin e vendit dhe dërgimin e një mesazhi për shqiptarët se ata janë qytetarë të dorës së dytë në shtet.

“VMRO është në garë me Levicën pro-ruse bllokon ligjet në Parlament, bllokon shtetin dhe demonstron se si dukej shteti i kapur si një kujtesë për qytetarët që mund të kenë harruar”, thonë në fund nga BDI.

Show More

Related Articles

Back to top button