Lajm i keq për futbollin në rajonin e Pollogut, konkretisht për KF Besa e Dobërdollit.
Skuadra e cila u paraqit me sukses në Ligën e Dytë mbetet pa sponsorin kryesorë.
Pas një gjysmësezoni pranveror shumë të suksesshëm kur seria pozitive solli mbijetesë në kategorinë e dytë të garave në futbollin vendor, ndodh e papritura te ekipi që pritej të ngritet akoma më shumë. Burime të TV Shenja mësojnë se sponsori kryesor i klubit, Zejdi Tahiri ka vendosur të tërhiqet nga KF Besa Dobërdoll.
Për arsye personale dhe të panjohura për publikun, Tahiri paralajmëron largimin që do të linte pa punë një numër të konsiderueshëm të futbollistëve dhe punëtorëve në klub. Kjo lëvizje e bën të paqartë të ardhmen e klubit, pasi nuk shihet ndonjë investitor alternativ që do të vazhdonte investimet e nisura nga sponsori në ikje. Kështu Besa duket para shuarjes, pasi pjesëmarrja në Ligën e Dytë tashmë unike kërkon një buxhet stabil dhe jo të vogël.
Ditët në vijim priten më shumë informacione në lidhje me ngjarjet e fundit te Besa e Dobërdollit. /SHENJA/