LajmeMaqedoni

Xhaferi merr pjesë në konferencën vjetore të kryeparlamentarëve të vendeve anëtare të BE-së

Kreu i Kuvendit, Talat Xhaferi, ka kërkuar nga kryetarët e Parlamenteve të vendeve anëtare të BE-së që, shtetet përkatëse të Unionit t’i kushtojnë rëndësi të posaçme zgjerimit, sidomos anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut.

Agresioni rus në Ukrainë dhe rreziqet e mundshme të sigurisë në kufijtë e BE-së, janë një arsye më shumë për t’i dhënë një dinamikë të re procesit të zgjerimit, ka thënë, mes tjerash, Xhaferi në Konferencën vjetore të kryetarëve të parlamenteve të vendeve anëtare të BE-së.

“Pas konferencës së parë ndërqeveritare në korrik të vitit 2022, me të cilën filloi skriningu, punojmë zellshëm në përmbushjen e kushtit për fillimin e negociatave dhe besoj se premtimi i dhënë do të shndërrohet në vepër dhe procesi i zgjerimit do të fitojë në dinamikë dhe negociatat për anëtarësim, do të bëhen realitet edhe për ne.”, – ka thënë Xhaferi.

Veç nevojës për përshpejtimin e integrimit dhe sigurinë e qytetarëve evropian, Xhaferi ka theksuar emergjencën për pavarësimin tregtar dhe ekonomik të vendeve anëtare nga vendet me regjime autoriatare dhe totalitare.

“Si liderë kemi përgjegjësi para qytetarëve tanë ta sigurojmë mbi të gjitha, sigurinë e tyre.  Mandej, qarkullimin e pandërprerë të lëndëve të para strategjike energjetike, të produkteve ushqimore dhe teknologjive. Nuk guxojmë të lejojmë varësi nga ana e regjimeve totalitare dhe autoritare, varësi e cila do të reflektohet drejtpërdrejtë në sigurinë. Doemos të vendosim ura të reja të bashkëpunimit me politikë të hapur tregtare me vendet që ndajnë vlera të njëjta demokratike, me ç’rast, Organizata Botërore Tregtare do e ketë rolin kryesor.” – ka theksuar Xhaferi.

Sipas tij, situata e sigurisë, situata energjetike dhe në përgjithësi ekonomike në rajon dhe në botë nuk ka pësuar ndonjë përmirësim prej takimit të fundit të këtij formati. (Nermin Mulaki Fejzullahu, TVM2)  

Show More

Related Articles

Back to top button