LajmeRajon

Filloi vizita zyrtare e Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani në RMV: Në fokus marrëdhëniet dypalëshe

Presidenti Stevo Pendarovski sot ka pritur në takim Presidenten e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani-Sadriu, e cila ndodhet për një vizitë zyrtare në Republikën e Maqedonisë së Veriut, transmeton Portalb.mk.

Presidenti Pendarovski dhe presidentja Osmani-Sadriu zhvilluan një takim kokë më kokë, i cili u pasua nga takimi plenar i dy delegacioneve.

Në fokus të bisedimeve janë marrëdhëniet e përgjithshme dypalëshe ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës dhe mundësitë për avancimin e tyre, perspektiva evropiane e dy vendeve, zhvillimet aktuale në lidhje me dialogun Beograd-Prishtinë, si dhe situata në rajon dhe më gjerë në kontekstin e luftës në Ukrainë.

Pas mbledhjes plenare të delegacioneve, është paraparë që presidenti Pendarovski dhe presidentja Osmani-Sadriu të mbajnë një konferencë të përbashkët për media.

Në kuadër të vizitës zyrtare, presidentja e Kosovës Vjosa Osmani-Sadriu do të takohet edhe me kryetarin e Kuvendit Talat Xhaferi, me kryetarin e Qeverisë, Dimitar Kovaçevski dhe do të mbajë fjalim në një seancë ceremoniale në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë së Veriut.

Ndërkohë të enjten (27.04.2023) Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani Sadriu për vizitë zyrtare do të qëndrojë edhe në Komunën e Tetovës, ku do të zhvillojë takim me kryetarin Bilall Kasami.

Show More

Related Articles

Back to top button