GostivarLajme

Bllokimi i xhiro – llogarisë, Taravari: Besoj për katër – pesë muaj të nisim të funksionojmë normalisht

Nga nëntori i vitit të kaluar komuna e Gostivarit ka xhiro – llogari të bllokuar. Kjo bllokadë gjashtë mujore ka ardhur si pasojë e krizës financiare shkaktuar nga shtrenjtimi i energjisë elektrike. Kryetari Arben Taravari nuk pret situata të përmirësohet para shtatorit. Sqaron se për momentin funksionojnë me kornizë financiare sa për të mbuluar harxhimet bazë. Paratë e planifikuara për investime kapitale për këtë vit, të gjitha thotë ai, kanë shkuar për pagesë të faturave të kripura të rrymës.

“Ende kemi probleme financiare, xhiro-llogaria e komunës nuk është e zhbllokuar dhe tani funksionojmë me kornizë financiare. Arrijmë t’i mbulojmë harxhimet kryesore, por të jem i siqertë prej 2022 praktikisht jemi në një krizë që ndjehet edhe në investimet kapitale pasi që një pjesë të parave që ishin të planifikuara për investime, ne me ato e kemi paguar rrymën elektrike dhe e gjithë kjo erdhi si pasojë e shtrenjtimit të energjisë elektrike nga viti i kaluar e deri më tani”, deklaroi Arben Taravari, kryetar i komunës së Gostivarit.

Sipas Taravarit, si pasojë e shtrenjtimit të energjisë elektrike, janë rritur edhe harxhimet nëpër shkolla kurse bllok-dotacionet që ndahen për shkollat nga MASH, kanë mbetur të njejta. Kjo e ka rënduar edhe më shumë gjendjen financiare, thotë ai.

“Natyrisht, kur nuk mund të bësh pagesa, rritet çmimi i energjisë elektrike, automatikisht paratë që i ke planifikuar në pika të caktuara buxhetore, nuk mund t’i harxhosh atje por i lëviz ato para dhe paguan energjinë elektrike, harxhimet që janë paraqitur nëpër shkolla që janë dy – tre fish më shumë ndërsa bllok – dotacionet mbeten njejtë sikurse viteve tjera. Krijohet situatë e pa planifikuar që nuk e parashikon në afat të mesëm apo të gjatë. Të urojmë që planifikimet që i kemi për periudhën e ardhshme, të debllokohemi dhe të funksionojmë”, deklaroi Arben Taravari, kryetar i komunës së Gostivarit.

Sipas projeksioneve të sektorit për financa të komunës së Gostivarit, komunës do ti duhet të funksionojë në situatën në të cilë ndodhet tani, deri kah muaji shtator kur edhe pritet normalizimi i kësaj situate të jashtëzakonshme financiare.

“Besoj për katër – pesë muaj të nisim të funksionojmë ashtu si duhet, por edhe këtë e them me rezervë pasi këto janë projeksione të cilat i bën Departamenti i Financave në komunën e Gostivarit”, deklaroi Arben Taravari, kryetar i komunës së Gostivarit.

Ndryshe, në seancën e fundit të Këshillit u tha se borxhi i komunës së Gostivarit ka shkuar në mbi 7 milionë e 200 mijë euro.

Show More

Related Articles

Back to top button