LajmeMaqedoni

Bytyqi, Boçvarski dhe Makraduli dëshmuan për Zekirin: Posta duhet të ketë 56 të punësuar, por ka mbi 250

Me propozim të mbrojtjes, zëvendëskryeministri për Çështje Ekonomike, Fatmir Bytyqi, ministri i Transportit dhe Lidhjeve, Bllagoj Boçvarski dhe ish drejtori i Postës, Jani Makraduli, sot dëshmuan në procesin gjyqësor në të cilin, ish sekretari i Qeverisë së Maqedonisë së Veriut, Muhamed Zekiri akuzohet se ka lidhur kontrata për shërbime konsulente për analizimin e situatave në postë dhe hekurudha, pa procedurë për prokurim publik dhe me këtë e ka “keqpërdorur detyrën dhe autoritetin zyrtar”, raporton Portalb.mk.

Dëshmitarët, folën për atë se si ka qenë gjendja në Postën e Maqedonisë dhe Hekurudhat e Maqedonisë, pse është porositur studim fizibiliteti dhe çfarë do të bëhej më në lidhje me këto dy institucione, të cilat ndër vite kanë punuar me humbje.

Bytyqi: Studimi parashikon që për 5 vite Postat dhe Hekurudhat të jenë profitabile

Në Postë kishte mbi 250 të punësuar, ndërkaq me sistematizimin që parashihte studimi i fizibilitetit, numri do të duhej të ishte vetëm 56, deklaroi Bytyqi para Gjykatës, duke folur për studimin e fizibilitetit për Postën, e cila është lëndë e akuzës.

“Në Këshillin Ekonomik të Qeverisë është hapur çështja e Postës së Maqedonisë, e cila është një prej humbësve më të mëdhenj. Prej kur kam ardhur në pozitë, Postat e Maqedonisë ka pasur humbje prej 2-3 milionë euro në vit. Dhe për këtë, Postat, por edhe Hekurudhat, të cilat ishin humbës, kishin problem me pagesën e rrogave. Për atë duhej të bëhej studim fizibiliteti për atë nëse do të privatizohej ose të yjë në partneritet publik privat. Ne e Këshilluam Sekretariatin me qëllim që të bëhet ristrukturimi i postave”, tha Bytyqi

Ai informoi se studimi i fizibilitetit për Postën e Maqedonisë është mbaruar dhe ndodhet në Qeveri, ndërkaq studimi i fizibilitetit për Hekurudhën ka mbaruar, por nuk është kryer pranimi zyrtar i saj dhe nuk është kryer pagesa.

Në studimin e fizibilitetit ka analizë të gjendjes aktuale, pastaj ka rekomandime që brenda 5 vitesh, Postat të shndërrohet nga humbës në ndërmarrje me profit.

Pasi është kryer studimi, nën organizim të Sekretariatit të Përgjithshëm, përfaqësuesit e kompanisë kanë bërë prezantim të studimit të fizibilitetit, në prani të Bytiqit, Boçvarskit, dhe përfaqësuesve të Postës, përfshirë Makradulin

Sipas Bytyqit, studimi përdoret, megjithatë, çështja ka ngecur pasi që, dy javë pasi që është pranuar studimi, është shkarkuar Makraduli, më pas në vend të tij, erdhi një tjetër [Vasko Stefanov], por edhe ai u shkarkua dhe para një muaj e gjysmë është emëruar drejtor i ri [Bujare Abazi], me atë jemi takuar dhe i kam thënë që ka studim dhe duhet të zgjidhet kjo çështje.

Në lidhje me studimin për Hekurudhat e Maqedonisë, Bytyqi tha se situata është më komplekse.

“Gjithandej transporti i udhëtarëve subvencionohet nga qeveria, pasi që nuk mund të gjenerojë aq të ardhura sa për t’u mirëmbajtur, nga ana tjetër, në aspektin e transportit të mallrave apo kargos, pajisja është vjetërsuar”, tha Bytiqi.

Ai shtoi se me studimin parashihet që për pesë vite Hekurudhat e Maqedonisë të bëhen reputabile dhe profitabile.

“Për ne ishte më me rëndësi të ndalohej dëmi ndaj buxhetit”, tha Bytyqi.

Ai njoftoi se studimi është gati dhe përdoret, pavarësisht se nuk është bërë pranimi zyrtar dhe nuk është paguar.

Në lidhje me atë se çfarë duhet të përmbajë studimi, Bytyqi tha se sekretari i përgjithshëm i ka marrë  udhëzimet nga zyra e tij, pasi që nuk kanë pasur pritje që Sekretariati i Përgjithshëm vetë të japë udhëzime.

Show More

Related Articles

Back to top button