LajmeMaqedoni

Vazhdon “teatri” në Këshillin Gjyqësor, Ademi ulet në karrigen e Damevës

Anëtarët e Këshillit Gjyqësor, që dje me propozim të ish-zyrtarit të lartë të BDI-së, aktualisht nënkryetar i Këshillit Selim Ademi, pa procedurë paraprake shkarkuan Vesna Damevën nga kreu i Këshillit Gjyqësor, sot edhe pse me 2 orë vonesë filluan seancën, përsëri s’arritën t’i sigurojnë 8 vota për të zgjedhur kryetarin e ri.

“Kur bëhet zgjedhja e kryetarit të Këshillit Gjyqësor, është mirë dhe më e dëshirueshme që të jemi prezent të gjithë 13 anëtarët e këshillit. Mirëpo, për shkaqe të arsyetuara, një anëtare e Këshillit Gjyqësor nuk është prezentë ndërsa të gjithë pajtohemi se kur kemi kështu pike të rëndësishme, duhet të jemi të gjithë prezent dhe për këtë arsye sugjeroj që seanca të shtyhet për më 2 maj”, tha Selim Ademi, zëvendëskryetar i Këshillit Gjyqësor.

Të pranishëm sot në sallë ishin 12 anëtarë të Këshillit Gjyqësor, aq sa edhe dje. Për këtë, e pyetëm nënkryetarin Selim Ademi se pse mungesa e anëtares Mirjana Radevska Stefkova nuk ishte problem dje, kur me çdo kusht u desh sipas tij të shkarkohet Dameva ndërsa sot po, ai vendosi të mos përgjigjet dhe lëshoi sallën.

Dameva tha se Ademi është dashur që t’i mbrojë anëtarët nga kërcënimet, presionet dhe ndikimet e mundshme nga jashtë. Sipas saj, shtyrja e seancës sot bëhet për shkaqe të tjera.

“Të jem e sinqertë, prita që të keni shumicë që të votohet në këtë moment, mirëpo po ju lë edhe dy ditë, të shohim në qoftë se shkarkimi i kundërligjshëm, pa asnjë procedurë paraprake, më tutje në ndonjë mënyrë do të legalizohet, siç e keni përmend edhe vet Gjykatën Kushtetuese, mirëpo duhej që ju si nënkryetar të na mbroni nga të gjitha presionet, ndikimet dhe ngjashëm”, u shpreh Vesna Dameva, Këshilli Gjyqësor.

Edhe në seancën e sotme, e cila u shty përsëri me iniciativë të ish-zyrtarit të lartë të BDI-së dhe nënkryetarit të Këshillit Gjyqësor, Selim Ademi, është dashur të diskutohet për masat që duhet të ndërmerren kundër “shpëtimtarit” të Sasho Mijallkovit, gjykatësit Enver Bexheti. Shkarkimi i Damevës shkaktoi debat në opinion, shumë ekspert të drejtësisë konsiderojnë se shkarkimi i saj ishte i kundërligjshëm. Ende nuk është e qartë se cili institucion do të duhet të konfirmojë ligjshmërinë e kësaj procedure. /Alsat.mk

Show More

Related Articles

Back to top button