Në kuadër të aktiviteteve të vazhdueshme për rend dhe siguri më të madh në komunikacion të koordinuara nga Sektori i Punëve të Brendshme Tetovë, dje (27-prill) nga ora 10 deri në ora 16 në zonën e gjerë të Gostivarit është kryer kontroll aksion për korrektësinë teknike të automjeteve.
“Gjatë kontrollit janë zbuluar dhe sanksionuar 3 automjete me folia pa A-test, 1 automjet me parregullsi në frena dhe 1 automjet i paregjistruar. Gjithashtu janë sanksionuar 2 drejtues mjetesh që nuk kanë pasur patentë shofer si dhe 10 lloje të tjera kundërvajtjesh rrugore. Të gjitha kundërvajtjet janë rrumbullakosur me parashtresa përkatëse, duke përmendur se pronarët e automjeteve me folia të pa A-testuara dhe shoferët pa patentë shofer do të gjobiten me gjobë prej 250 euro në kundërvlerë në denarë, ndërsa për defektet teknike me gjobë prej 400 euro”, thuhet në njoftimin e policisë.
Ndryshe, në prag të fundjavës së zgjatur të festave, SPB-Tetovë apelon tek drejtuesit e mjeteve që të jenë jashtëzakonisht të kujdesshëm dhe të përshtasin shpejtësinë e tyre sipas kushteve të rrugës, veçanërisht ata që planifikojnë udhëtim dhe festim në Ohër, Mavrovë apo ndonjë nga pikat e tjera të piknikut në zonë. Gjithashtu kërkohet që të përmbahen nga konsumimi i alkoolit gjatë drejtimit të mjeteve dhe të respektohet plotësisht sinjalistika e komunikacionit ekzistues.
SPB Tetovë thotë se do të ndërmarrë masat e duhura për lëvizje të qetë dhe të sigurt të të gjithë pjesëmarrësve në trafik dhe pret mirëkuptim të plotë nga drejtuesit e mjeteve dhe respektim të urdhrave dhe udhëzimeve të zyrtarëve policorë.