LajmeRajon

Konjufca kundërshton ekipin që përgatit statutin e Asociacionit

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca konsideron se ekipi menaxhues për hartimin e draft-statutit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe nuk duhet të vazhdojë punën, me përbërjen që aktualisht ka. Sipas tij, në këtë ekip duhet të përfshihen qytetarë të Kosovës që përfaqësojnë interesin e Kosovës e jo deputetë të presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq, që përfaqësojnë interesat e Serbisë.

“Një institucion i cili e konsideron vetën që është i Republikës së Kosovës duhet të veprojë sipas Kushtetutës, ligjeve tona dhe sipas interesit tonë shtetëror. Nëse një institucion nuk është i Kosovës, në kuptimin e sjelljes së tij, mban qëndrime që nuk janë të Kosovës, por janë të Serbisë unë nuk mendoj se është interes i Kosovës të vazhdojë më ai institucion… Nuk pres ndonjë gjë të mirë prej një kryesuese të këtij ekipi menaxhues, e cila është deputete e Aleksandër Vuçiq, dhe deputetja e Vuçiqit nuk mundet të shkruajë pjesë të rregullimit institucional të Kosovës”, deklaroi Glauk Konjufca, Kryetar i Kuvendit të Kosovës.

Ndërkohë kryeministri i Kosovës Albion Kurti dhe presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq do të takohen më 2 maj në Bruksel. Në rend dite do të jetë miratimi i Deklaratës për të pagjeturit dhe do të paraqitet drafti i parë i statutit për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

“Takimi do të përqendrohet në zbatimin e Marrëveshjes drejt normalizimit të raporteve. Si pikë e parë e agjendës do të jetë miratimi i Deklaratës për të pagjeturit. Pika e dytë do të jetë paraqitja e draftit të parë të statutit për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe”, tha Peter Stano Zëdhënës i BE-së.

I pyetur se si do të shkojë përpara procesi nëse nuk do të ketë përparim për themelimin e Asociacionit gjatë takimit të 2 majit, Stano përsëriti se BE-ja pret që palët të zbatojnë obligimet që kanë marrë.

“Ne presim që palët të jenë të përkushtuara për të zbatuar obligimet. E, formimi i Asociacionit është një obligim i qartë. Ne presim të lëvizim përpara dhe ne si lehtësues presim që të zbatohen obligimet që palët kanë marrë përsipër”, u shpreh Peter Stano, Zëdhënës i BE-së.

Takimi i 2 majit do të zhvillohet në kohën kur Kosova ka akuzuar Serbinë se ka shkelur Marrëveshjen drejt normalizimit të raporteve, të arritur më herët gjatë këtij muaji. Serbia ka votuar kundër anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës, pavarësisht se me Marrëveshjen drejt normalizimit është zotuar se nuk do ta pengojë Kosovën që të anëtarësohet në organizata ndërkombëtare. /Alsat.mk

Show More

Related Articles

Back to top button