Gjyqtari që pranoi se bëri një gabim që nuk i dha një penallti skuadrës së Borussia Dortmund në barazimin 1-1 në fushën e Bohumit, ka bërë kallëzim penal për kërcënimet me jetë që i janë bërë atij dhe familjes. Mediat gjermane konfirmojnë se gjyqtari Sasha Stegeman është nën mbrojtjen e policisë.
“Unë dhe familja ime jemi kërcënuar në mënyrë specifike. Ndaj dhe kam bërë një kallëzim penal. Po mendoj të marr një pushim. Ndaj meje kanë ardhur shumë gjëra të këqija dhe kam nevojë t’i përpunoj ato,” tha Stegmani për mediat.
Tashmë gjyqtari lëviz nën mbrojtjen e forcave të rendit. Pamjet televizive treguan gabimin e gjyqtarit dhe këmbënguljen e tij për të mos shkuar te “VAR”. Edhe pse ai e pranoi gabimin, situata përreth tij është e rëndë. Edhe klubi i Borussia ka nxjerrë një komunikatë ku shprehet se të tilla kërcënime nga tifozët e këtij ekipi nuk do të tolerohen.