Një dënim misterioz me karton të verdhë i mesfushorit të Arsenalit të Londrës, Granit Xhaka në fund të fitores ndaj Leeds sezonin e kaluar po hetohet nga agjencia kombëtare e krimit në Britani i dyshuar si një skandal madhor bastesh.
Federata britanike tha se ka kryer një hetim gjashtë-mujor dhe më pas kaloi çështjen te agjencitë e krimit për dyshime serioze korrupsioni dhe aktiviteti kriminal.
Federata nisi hetimet e saj pas lëvizjeve të dyshueshme në koefiçentët e basteve në lidhje me marrjen e mundshme të një kartoni të verdhë nga Xhaka në fund të fitores së Arsenal 4-1 në fushën e Leeds më 18 dhjetor.
Alarmi u ngrit në fakt nga një bast madhor prej 52,000 paundë i vendosur gjatë ndeshjes që parashikonte se Xhaka do të merrte karton në minutat e fundit të ndeshjes, megjithse Arsenal ishte duke fituar 4-1.
Dhe në fakt shqitpari i kombëtares së Zvicrës e bëri këtë në minutën e 86-të kur gjyqtari e dënoi sepse vonoi topin e një goditjeje dënimi.
Pamjet e incidentit tregojnë Xhaka që qëndron mbi topin para portës së tij për rreth 20 sekonda pa pasur asnjë dëshirë të gjuajë topin derisa dënohet me karton të verdhë nga arbitri.
Basti i dyshimtë u pikas në një rrjet të këmbimit të basteve, që solli një fitim prej të paktën pesëfish shumën e luajtur, në rreth 250,000 paundë.
Kompanitë e basteve e raportuan atë te federata vendase e futbollit pasi shuma ishte shumë më e madhe nga sa luhet zakonihst për kartonat e verdhë.
Një tjetër aspekt i pashpjeguar i incidentit është se shanset e fitimit ishin shumë më të larta për një karton të verdhë për Xhakën në 10 minutat e fundit, nga sa ishin para nisjes së ndeshjes.
Ndaj Xhakës nuk është marrë ende asnjë masë.
Mesfushori 29-vjeçar njihet për pakujdesinë e tij ndaj ndëshkimeve me karton teksa është dënuar ose përjashtuar me të kuqe në më shumë se çerekun e ndeshjeve për klubin./TCH/