LajmeRajon

Gjykimi i Pjetër Shalës në Hagë/ ​Përfundon dëgjimi i dëshmitarit të pestë

Dëgjimi i dëshmitarit të pestë të Zyrës së Prokurorit të Specializuar në gjykimin kundër Pjetër Shalës ka përfunduar.

Seanca me pyetjet e ekipit mbrojtës të Shalës ka vijuar në pjesë të madhe e mbyllur për publikun. Trupi gjykues ka kërkuar sqarime nga dëshmitari i mbrojtur në lidhje me ndërtesën me numër 1, në afërsi të shtabit të logjistikës në Kukës.

Ai ka thënë se nuk ka parë persona me duar të lidhura, ndërkohë që kryetarja e trupit gjykues ka kujtuar deklaratën e tij të dhënë për prokurorinë. Pjetër Shala e ka ndjekur seancën përmes video-lidhjes nga Qendra e Paraburgimit. Pas pushimit, seanca po vazhdon me dëgjimin e dëshmitarit të gjashtë.

Avokatja e Pjetër Shalës ka pyetur dëshmitarin se kush ishte përgjegjës për magazinën në fabrikën e metaleve në Kukës, që ai ka përmendur dje gjatë dëshmisë së tij.

Pas kthimit në seancë të hapur për publikun, kryetarja e trupit gjykues, Mappie Veldt-Foglia ka kërkuar sqarime në lidhje me deklaratat e dëshmitarit të pestë të Zyrës së Prokurorit të Specializuar.

Veldt-Foglia: Ju përmendet një ndërtesë me numrin 1, si një lloj burgu, a mund të na shpjegoni se si personat që mbërrinin aty në këtë shtabin e Kukësit që i qonin tek kjo ndërtesa me numrin 1, si mbërrinin aty, si arrinin aty, si vinin?

Dëshmitari: Ata komandantët e mëdhenj i mblidhnin dhe i binin.

Gjykatësja: Si vinin aty, në ç‘mënyrë? Me çfarë mjeti vinin?

Dëshmitari: Komandantët e mëdhenj nëpër kampe i mblidhnin që ishin të dyshuar.

Gjykatësja: Po vinin duke ecur në këmbë apo me ndonjë kerr, apo si vinin në çfarë mënyre, me çfarë mjetesh?

Dëshmitari: Po me kerr, më duket nëpër kampe i mblidhnin edhe disa që vijshin si mobizilim i ushtrisë edhe ata i merrnin në pyetje.

Gjykatësja: Ata njerëzit, personat, që i sillnin aty dhe i vendosnin tek ndërtesa numër 1, nga i dije ti, nga e kuptoje ti që ishin të dyshuar, siç na the dje, nga e mësove ti këtë?

Dëshmitari: Kur i merrshin në pyetje disa i lëshojshin u mobilizojshin aty në ushtri”,është përgjigjur dëshmitari i mbrojtur në pyetjet e kryetares së trupit gjykues.

Në pyetjet e gjykatëses për personat që merreshin në pyetje si të dyshuar për bashkëpunëtorë me Serbinë, dëshmitari që mban numrin 10 tha se nuk i kishin duart e lidhura.

Gjykatësja: Kur vinin aty tek shtabi, a ishe ti në gjendje për t’i dalluar, a e dije ti që ishin të dyshuar?

Dëshmitari: Jo, jo, jo. Aty vijshin ata mobilizimin për ta bërë, atëherë këta komandantët e mëdhenj që dyshonin i qitshin në këtë ndërtesën numër 1, në dhoma, si të dyshuar.

Gjykatësja: Ata njerëzit që merreshin nëpër kampe, siç the dhe i sillnin aty nga komandantët e mëdhenj me kerre, këta persona kur vinin aty i kishin duart e lidhura?

Dëshmitari: Unë nuk i kam parë me duart e lidhura”, është përgjigjur ai në pyetjet e gjykatëses.

Derisa i është kujtuar deklarata që ka dhënë, seanca ka vijuar me përmbajtje të redaktuar. Dhe prapë në seancë publike, dëshmitari i mbrojtur është pyetur se si vinin personat të cilët dyshoheshin se ishin bashkëpunëtor të Serbisë.

Gjykatësja: Këta njerëzit që i sillnin aty, duart i kishin të lidhura?

Dëshmitari: Zonja gjyqtare është mundësia që i kanë pasur, tash kam harruar se i binin aty në zyre, një herë i binin në zyre komandantët, tani i sjellshin në pavijonin numër 1. Me makinë e bijshin, por është mundësia që i kanë pasur duart (e lidhura), tash kam harruar unë.

Gjykatësja: Në rregull, por këto fjalë ja ke thënë prokurorisë dhe tani po thua që mund t’i kesh harruar. Edhe kur ta lexojë unë, tani që po ta lexoj, a të kujtohet apo prapë se ke shumë të qartë?

Dëshmitari: Prapë po them, ndoshta i kanë pasur… i qojshin në zyre komandantët. Nuk i zhdrypshin para portës aty ata që i vendosnin nëpër kampe. Ndoshta i kanë pasur duart lidhur se në makinë të vogël nuk i kam parë. Është edhe mundësia që i kam thënë prokurorisë”, ka thënë ai.

Në pyetjet e gjykatëses për prejardhjen etnike të këtyre personave që i sillnin në “ndërtesën numër 1”, dëshmitari tha se ishin të të gjitha vendeve të Kosovës. Ndërkaq, kryetarja e trupit gjykues tha se ai kishte thënë se kishte edhe romë, për çka e ka konfirmuar edhe dëshmitari i mbrojtur.

Gjykatësi Zhilbir Biti ka pasur disa pyetje për kushtet ku mbaheshin këta persona.

Dëshmitari: Si për personat në ndërtesën, si për ne njëjta ka qenë.

“Si për personat në ndërtesën numër 1, si për ne, njëjtë ka qenë. Se ku hajshim ne bukë edhe ata hajshin. Ka një ditë kishe, nga një ditë nuk kishe”, ka thënë ai.

Në dëshminë e tij të djeshme, dëshmitari i pestë ka thënë se ishte ushtar i thjeshtë dhe kishte bërë roje në shtabin e logjistikës në Kukës. Prokuroria i ka shfaqur skicën, ku kishte përmendur edhe “ndërtesën 1”, që sipas tij, mbaheshin e merreshin në pyetje personat e dyshuar që kishin lidhje me Serbinë.

Seanca në Hagë po vazhdon me dëgjimin e dëshmitarit të gjashtë të ZPS-së, i cili mban numrin 11. Pjetër Shala po mbahet në qendrën e paraburgimit në Hagë prej marsit të vitit 2021.

Sipas Speciales “krimet për të cilat akuzohet Shala u kryen përafërsisht midis 17 majit 1999 dhe 5 qershorit 1999 kundër personave që u mbajtën të ndaluar në fabrikën e metalit në Kukës, që pretendohet se përdorej prej Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”.

Pjetër Shala u arrestua më 16 mars 2021 nga autoritetet belge dhe u transferua në Hagë më 15 prill të atij viti, në bazë të një kërkese për bashkëpunim në zbatimin e fletë arrestit dhe urdhrit për transferim lëshuar nga Dhomat e Specializuara të Kosovës.

Top Channel

Show More

Related Articles

Back to top button