LajmeRajon

Petkoviq: Shkarkimi i ekipit menaxhues çon në shfuqizimin e Asociacionit dhe dialogut

Kryengociatori serb në dialogun me Kosovën, Petar Petkoviq tha se vendimi për shkarkimin e ekipit menaxhues i cili e hartoi draftin e statutit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe, i cili u prezantua të martën në Bruksel, është “i njëanshëm dhe i paligjshëm”.

Petkoviq  ka thënë se me ky vendim çon në shfuqizimin e Asociacionit dhe dialogut.

“Mandati i Ekipit Menaxhues nuk përfundon me prezantimin e draft-statutit të Asociacionit, por ekipi drejtues ka një rol të rëndësishëm në vetë procesin e formimit të Asociacionit, deri në themelimin e tij. Është e qartë se me këtë vendim skandaloz Kurti e ndërpreu procesin e formimit të Asociacionit vetëm dhjetë orë pasi, pas 10 vitesh, më në fund u inicua zyrtarisht në dialog. Tani supozoj se është e qartë për të gjithë se Kurti nuk dëshiron të formojë Asociacionin dhe se në çfarëdo mënyre dëshiron ta shmangë këtë obligim më të rëndësishëm”, ka thënë Petkoviq.

Qeveria ka shkarkuar sot ekipin menaxhues për hartimin e draft-statutit të Asociacionit.

Vendimi është marrë këtë mëngjes nga ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi.

Krasniqi thotë se ky ekip prezantoi punën e tij dje dhe se tashmë është pa status.

Kujtojmë se dje në Bruksel, u prezantua draft-statuti për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, nga ky ekip menaxhues, i përbërë prej katër pjesëtarëve të komunitetit serb.

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti pas takimit tha se draft-statuti për Asociacionin i paraqitur nga Ekipi Menaxhues “është fundamentalisht i papajtueshëm me kushtetutshmërinë, ligjshmërinë, të drejtat e njeriut, vlerat evropiane, të drejtat e pakicave sipas standardeve evropiane”.

Ai tha se ky draft dëshmon dëshirën për “Republika Srbska” në Kosovë.

“Ky draft-statut është fundamentalisht i papajtueshëm me Kushtetutën tonë dhe të drejtat e pakicave. Përkundër kësaj ne jemi të interesuar të gjejmë zgjidhje dhe unë propozova një draft vizion me 11 pika përkitazi me nenin 7 se si do të duhej të ishin vlerat dhe principet, korniza që rregullon çështjen e komuniteteve joshumicë, pakicave”, tha Kurti.

Ekipi menaxhues ishte ngarkuar me përgjegjësinë e themelimit të Asociacionit, në kuadër të marrëveshjeve të Brukselit të vitit 2013 dhe 2015.

Show More

Related Articles

Back to top button