LajmeRajon

Draft-statuti me dëshirë për Republikë Sërpska në Kosovë, reagimet e VV-së për shkarkimin e Ekipit Menaxhues

Ministri Elbert Krasniqi sot ka shkarkuar Ekipin Menaxhues për hartimin e draft-statutit të Asociacionit, i cili u prezantua dje në takimin Kurti-Vuçiq në Bruksel, raporton Gazeta Blic.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha pas takimit se ky draft është i realizuar mbi dëshirën e Serbisë për Republika Sërpska në Kosovë.

“Pas prezantimit të djeshëm në Bruksel të draft statutit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, sipas përgjegjësive që i ishin dhënë Ekipit Menaxhues në marrëveshjet e Brukselit të vitit 2013 dhe 2015, ky ekip tash edhe vet është pa status.

Andaj, sot me datë 03 maj 2023, kam marr vendim për lirimin nga detyra të anëtarëve të këtij ekipi menaxhues, në përbërje të Danijela Vujičić, Jelena Bolovic, Igor Kalamar dhe Dejan Radojković”, ka shkruar Krasniqi në Facebook.

Shkarkimit të Ekipit Menaxhues i është gëzuar Lëvizja Vetëvendosje, ku të shumtë kanë qenë ata që kanë reaguar për këtë vendim, duke e shpërndarë postimin e ministrit Krasniqi.

Deputetja Fitore Pacolli ka thënë se ky ekip u lirua nga detyra për shkak se shpërfaqi dëshirën e Serbisë për themelimin e Republikës Serbe brenda Republikës së Kosovës.

“Draft statuti i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe i prezantuar nga ekipi shpërfaqi dëshirën e Serbisë për themelimin e Republikës Serbe brenda Republikës së Kosovës, prandaj ky ekip u lirua nga detyra.

Ekipi menaxhues ishte në përbërje të Danijela Vujičić, Jelena Bolovic, Igor Kalamar dhe Dejan Radojković.

#QeveriaKurti”, ka shkruar ajo në Facebook.

Postimi është shpërndarë edhe nga zyrtarë qeveritarë.

Në anën tjetër, analisti Imer Mushkolaj e ka parë të kotë dhe të vonuar këtë vendim, duke thënë se është propagandë qeveritare, pasi është dashur të bëhet para se ai ta hartojë draftin e Asociacionit.

“Ekipi menaxhues për hartimin e draft-statutit të Asociacionit, që e paska shkarku qeveria, edhe ashtu s’ka pasë tjetër punë. Ky ekip është dashtë të shkarkohet më herët, e jo pasi ka prodhuar një dokument të dëmshëm, që do të shërbejë si bazë për negociata. Vendimi për shkarkimin e ekipi tash është i kotë dhe veç propagandë qeveritare”, ka shkruar Mushkolaj në Facebook.

Kurse, drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, e ka quajtur të njëanshëm dhe joligjor shkarkimin e kastor anëtarëve serbë të Ekipit Menaxhues që ka draftuar statutin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.

Sipas tij, se shkarkimi i tyre nënkupton fundin sa i përket asociacionit.

“Mandati i Ekipit Menaxhues nuk përfundon me prezantimin e draft-statutin e Asociacionit, por që Ekipi Menaxhues ka rol të rëndësishëm në procesin e formimit, deri në themelimin e tij. Tani mendoj se është e qartë për secilin që Kurti nuk do ta formojë Asociacionin dhe që ai do t’i shmanget këtij obligimi të rëndësishëm në çdo mënyrë. Albin Kurti duhet të ndalet nga BE urgjentisht, sepse shkarkimi i Ekipit Menaxhues çon në shfuqizim të Asociacionit dhe për më tepër edhe shfuqizim të dialogut”, ka thënë ai./Gazeta Blic/

Show More

Related Articles

Back to top button