LajmeSport

PSG-ja e prerë – nuk do t’ia vazhdojë kontratën “rebelit” Messi

Paris Saint-Germaini ka vendosur përfundimisht që të mos ia vazhdojë kontratën Lionel Messit pas udhëtimit të papritur dhe të pa paralajmëruar të tij në Arabinë Saudite.

35 vjeçari e mori rrugën drejt Lindjes së Mesme vetëm pak orë pas humbjes shokuese 1:3 nga Lorienti të dielën.

Mendohej se kampioni i freskët e kishte marrë këtë rrugë si pjesë e punës dhe angazhimit të tij si ambasador i Arabisë Saudite, e cila synon ta organizojë Kupën e Botës 2030.

Mirëpo, kjo nuk ishte e vërtetë dhe shtatë herë fituesi i Topit të Artë si dënim nuk do të marrë rrogë për dy javë.

E mediumi francez “L’Equipe” raporton se ndaj Messit do të vazhdojnë dënimet.

Në fakt, gjiganti francez ka vendosur të mos ia vazhdojë kontratën yllit argjentinas.

PSG-ja e kishte në opsion shfrytëzimin e opsionit për vazhdimin e kontratës për vitin e tretë, por kampioni francez nuk do ta shfrytëzojë klauzolën.

Edhe pse thuhej se Messi e kishte marrë lejen nga drejtuesit e klubit për t’u larguar, duket se kjo nuk ka qenë e vërtetë, shkruan “Gazeta Express”.

Sidoqoftë, kjo duket se ishte goditja e fundit para largimit thuajse të sigurt të Messit nga Parisi.

Messi mund të rikthehet në Barcelonë, por i ka në opsion edhe klubin arab, Al-Hilal dhe atë amerikan, Inter Miami.

Show More

Related Articles

Back to top button