GostivarLajme

Dita ndërkombëtare e zjarrfikësve / “Heronjtë” e qytetit të Gostivarit kërkojnë paga më të larta

Me automjete ku vjetërsia mesatare është disa dekadëshe dhe me mungesë të uniformave mbrojtëse. Këto janë kushtet me të cilat zjarrfikësit e Gostivarit përballen çdo ditë gjatë intervenimeve në terren për shuarjen e zjarreve apo shpëtimit të jetëve gjatë ndonjë fatkeqësie ose aksident trafiku, në një territor që përfshinë tre komuna, Gostivarin, Vrapçishtin dhe Mavrovë-Rostushë. Në ditën ndërkombëtare të këtyre heronjëve të heshtur, drejtuesi i zjarrfikësve në Gostivar, Jusuf Bajrami, thotë se disa kushte janë përmirësuar dukshëm viteve të fundit, por duhet akoma punë për të arritur atë që i duhet shërbimit të zjarrfikësve për të qenë sa më efikas.

“Shfrytëzojë rastin t’i urojë të gjithë kolegët zjarrfikës për Ditë ndërkombëtare të zjarrfikësve. Sa i takon gjendjes, objekti ku veprojmë, kushtet janë përmirësuar dukshëm. Viteve të fundit kemi bërë investime në nxjeme, dritare dhe kushte të tjera elementare që janë brenda njësisë. Problem kemi me kamionët, nuk kemi kamionë të mjaftueshëm, disa nga kamionët ekzistues janë të vjetruar dhe kanë shumë defekte. Sa u përket uniformave mbrojtëse mungesat i pkotsojmë me uniforma të cilat kryesisht na vijnë si donacione nga vendet evropiane. Këto do thoja se janë problemet tona si zjarrfikës”, thotë Jusuf Bajrami, drejtues i Njësitit territorial Kundër Zjarreve në Gostivar.

Pagat e zjarrfikësve në Gostivar por edhe në Maqedoni shkojnë deri në 500 euro. Bajrami thotë se kjo pagë është e ulët duke pasur parasyshë veprimtarinë e tyre e cila është me rrezik të lartë, pastaj edhe inflacionin e lartë në vendin tonë.

“Pagat për ne si zjarrfikës, por jo vetëm te ne edhe te sektorët e tjerë, nuk janë të mjaftueshme. Për ne që kemi edhe rreziqe ndaj punës, mendoj se pagat janë të ulta, pasi kemi edhe inflacion, çdo artikull ushqimor është shtrenjtuar dukshëm kohëve të fundit. Prandaj, mendoj se duhet të ndryshojnë pagat e zjarrfikësve”, thekson Jusuf Bajrami, drejtues i Njësitit territorial Kundër Zjarreve në Gostivar.

Njësia e Zjarrfikësve në Gostivar ka edhe mungesë të kuadrit.

“Sipas ligjit ne duhet të kemi 80 zjarrfikës. Gjendja me zjarrfikësit është përmirësuar dukshëm kohëve të fundit pasi një kohë mbetëm vetëm me 26 zjarrfikës, ndërsa tani kemi 43 me vendime dhe 10 – 15 zjarrfikës me kontrata në vepër”, thekson Jusuf Bajrami, drejtues i Njësitit territorial Kundër Zjarreve në Gostivar.

Aktualisht Njësiti Territorial Kundër Zjarreve në Gostivar ka 6 kamionë, prej të cilëve dy janë jashtë përdorimit për shkak të gjendjes së tyre jo të rregullt teknike.

Show More

Related Articles

Back to top button