GostivarLajme

Rruga “Kej Vardar” pa sinjalistikë dhe pa siguri rrugore! / Dalipi: Të limitohet shpejtësia dhe të vendosen barriera

Rruga “Kej Varadar” në Gostivar edhe pse me gjatësi prej më pak se gjysëm kilometri, përbën rrezik të madh për banorët që jetojnë përgjatë saj. Shkak i rrezikut është shpejtësia e madhe me të cilën lëvizin automjetet, pasi ajo nuk ka asnjë kufizim ndërsa mungon edhe sinjalistika rrugore. Lekë Dalipi, këshilltar në Këshillin komunal të Gostivarit, është njëri nga banorët që jeton në këtë pjesë të qytetit. Ai thotë se rreziku më i madh u kanoset të fëmijëve dhe të moshuarve.

“Shqetësimi im por edhe i banorëve tjerë që ma kanë thënë është siguria në trafik. Në këtë pjesë edhe pse është e vogël, pasi rruga është edhe e re, automjetet lëvizin me shpejtësi vërtetë shumë të lartë. Por, duhet të kemi diçka parasyshë se kjo rrugë e lidh gjithë lagjen ‘Leska’, ku shumë fëmijë dhe të moshuar kalojnë këndej, kemi edhe market këtu afër, dalin edhe gra të moshuara për të blerë, dhe ata janë në rrezik vazhdimisht. Pastaj, të gjithë fëmijët e kësaj lagje kalojnë nga kjo rrugë për të shkuar në shkollën më të afërt ‘Bashkimi’. Edhe tani kur flasim shihen sesi lëvizin veturat dhe rrezik ka në çdo moment”, deklaron Lekë Dalipi, këshilltar.

Dalipi u bën thirrje autoriteteve kompetente lokale të marrin masa urgjente me të cilat do të rregulloheshte shpjetësia e lëvizjes përgjatë kësaj rruge. Ai kërkon të vendosen më së paku katër të ashtuquajtur polic të shtrirë dhe tabela komunikacioni të cilat do ta kufizonin shpejtësinë e lëvizjes së automjeteve.

“Desha të bëj apel Policisë së qytetit dhe Komunës, pa marrë parasyshë kanalin e tyre të komunikimit, ata të merren me sigurinë e qytetarëve. Ata duhet të vendosin në këtë rrugë barriera të a.q. ‘polic i fjetur’ të cilat i kanë kërkesë vetë banorët e lagjes, si dhe shenja për limitim të shpejtësisë. Nuk jam ekspert i komunikacionit, por mendoj se limiti nga ajo që kam parë në perendim, makismumi duhet të jetë 40 km/h”, deklaron Lekë Dalipi, këshilltar.

Vërejtje ka edhe për automjetet që parkohen nëpër trotuare. Thekson se sa nuk ka ndodhur ndonjë fatkeqësi të merren masa, pasi siç ai nënvizon, rreziku është shumë i madh dhe permanent.

“Nga pamjet filmike mund të vërehet se trotuaret janë gati të ‘okupuara’, dhe tash imagjinoni një nënë me fëmijë me karrocë duhet të ecë përmes rrugës me çka ajo me automatizëm vendoset në rrezik. Nga ajo që shoh unë duke kaluar çdo ditë në këtë rrugë, them se kemi pasur fat që nuk ka ndodhur aksident fatal. Jam pro idesë të parandalojmë sesa të presim të na ndodhe ndonjë e keqe e pastaj të merren masa apo të protestohet. E kotë do ishte pastaj sikur të vendoseshin edhe 1000 barriera, sepse një jetë e humbur nuk kompensohet me asgjë”, deklaron Lekë Dalipi, këshilltar.

Ndryshe, komuna e Gostivarit para një viti e gjysëm bëri rikonstruimin e tërësishëm të kësaj rruge. U vendosen të gjitha instalimet e reja nëntokësore, sikurse ujësjellës dhe kanalizim dhe pastaj u bë asfaltimi i saj dhe vendosja e trotuareve në të dyja krahët e rrugës.

Show More

Related Articles

Back to top button