Heroi i Kombit, Fahri Fazliu është rikthyer i bronztë në qytetin e Obiliqit. Në sheshin që do ta mbajë emrin e tij është zbuluar shtatorja e heroit, në Ditën e Dëshmorëve, 5 Majin.
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ishte i ftuar të marrë pjesë në këtë ceremoni, të organizuar nën patronatin e kryetarit të komunës së Obiliqit, Xhafer Gashi, e që u mbajt pikërisht sot, në Ditën e Dëshmorëve të Kombit. Por, në pamundësi për të qenë i pranishëm, Kryeministri Kurti iu drejtua të pranishmëve përmes një letre, të cilën në emër të tij e lexoi moderatorja e ceremonisë.
Ndër të tjera, kryeministri shkruan se për jetën dhe aktivitetin politik dhe patriotik të Fahriut, është i sigurt që do të rrëfejnë kujtime me peshë historike vetë shokët e tij që e njohën e bashkëvepruan me të.
“Në radhë të parë, dua të them që kanë qenë pikërisht vetëdija e kulluar politike për liri, tradita e mospajtimit me Serbinë okupatore si dhe përpjekja e pa ndalur dhe lufta e vazhdueshme për çlirim, të cilat e kanë karakterizuar veprimtarinë e Fahri Fazliut dhe shokëve të tij”, shkruan kurti, sipas të cilit, “ato ideale që në fund e kanë çliruar Kosovën më 1999 dhe e kanë mundësuar shtetin e pavarur të Kosovës më 2008”.
Ai tha se kërkesa “Kosova Republikë”, e thirrur nga Fahriu dhe mijëra të tjerë gjatë demonstratave të vitit 1981, nga një parullë popullore dominante e kohës tani është realitet politik me Republikën e Kosovës.
Kurti shkruan se sa e pastër dhe e lartë ishte veprimtaria patriotike e Fahri Fazliut dhe Afrim Zhitisë, mund të kuptohet edhe nga trashëgimia e drejtpërdrejtë e tyre politike.
“Ata që i pasuan Fahriun dhe Afrimin në rrugën e tyre, Bahri Fazliu dhe Agron Rrahmani, Ilir Konushevci dhe deri te Zahir Pajaziti, janë disa nga profilet e luftëtarëve më të paepur për lirinë e Kosovës”.
Kryeministri kurti deklaroi se Fahri Fazliu tashmë i derdhur në bronz nga artisti skulptor Sabri Behramaj, përjetësohet në sheshin e qytetarëve dhe popullit për të cilët punoi e luftoi deri në frymën e fundit.
“Nga sot, kjo shtatore do të jetë një vepër arti kujtese për Fahri Fazliun dhe gjithë çfarë ka përfaqësuar ai bashkë me shokët e tij”.
“Lavdi dëshmorit të lirisë së kombit dhe atdheut Fahri Fazliut, lavdi Afrim Zhitisë, Bahri Fazliut e Agron Rrahmanit, Zahir Pajazitit e Ilir Konushevcit dhe të gjithë dëshmorëve të rënë për lirinë e Kosovës!”.
Sidoqoftë, të pranishëm ishin bashkëluftëtarë e figura të larta politike në vend e rajon, të cilët nderuan lartë jetën dhe veprën e heroit, Fahri Fazliu.
Kryetari i Komunës së Obiliqit, Xhafer Gashi, tha se Fahri Fazliu ishte trim e burrë i fortë, dhe mbetet një frymëzim për të gjitha.
“Zbulimi i shtatores nuk po ndodh rastësisht sot më 5 Maj sepse kontributi i tij ishte i madh”, tha Gashi.
“Së bashku me të tjerët ishim rreshtuar krah tij dhe Lëvizjes Popullore, ku si një i ri 19 vjeçar u bashkova në Lëvizjen Popullore, që Fazliu ishte trim e burrë i fortë, dhe mbetet një frymëzim për mua, por edhe për shokët tanë”.
E iniciatori i kësaj shtatoreje, Arben Krasniqi, tha se nga qytetarët do ta nderojnë kolosin e tyre.
“Nuk është rastësi që sot më 5 maj, qytetarët e Obiliqit ta nderojnë kolosin dhe heroin tonë, Fahri Fazliu. Përkushtimi i qytetarëve tanë dhe përkushtimi i nivelit lokal, bëri që shtatorja të vendoset sot këtu”.
Lideri i BDI-së, Ali Ahmeti, tha se qyteti i Obiliqit po pasurohet edhe më shumë me vendosjen e shtatores së Fahri Fazliut.
Sipas Ahmetit, me këtë shtatore, po nderohet historia e pashlyeshme e shqiptarëve.
Përfaqësuesi i familjes Jashari, Bekim Jashari, kërkoi më shumë unitet në rrugën që tha se ka shumë sfida.
Jashari tha se Fahriu ishte pjesëmarrës që nga protestat e vitit 1981 e deri në rënien e tij.