Qeveria greke ka menduar të zgjasë edhe me 3 muaj të tjerë programin e saj “Fuel Pass” për subvencionimin e drejtuesve të automjeteve, me qëllim që të përballojnë çmimin e lartë të karburantit.
Jo vetëm zgjatja në kohë për muajt Korrik-Gusht-Shtator, por është propozuar edhe rritja e subvencionimit, që sipas mediave greke, do të miratohet sot nga Kryeministri Kyriakos Mitsotakis.
Nga 40-50 Euro që subvencionohej çdo pronar mjeti, për 3 muajt e Verës është propozuar që vlera e subvencionimit të rritet në 60-70 Euro.
Dhe sipas Kryeministrit grek Mitsotakis, kjo formë subvencionimi do të bëjë që kostoja reale e karburantit për qytetarët të ulet në 2 Euro nga 2,3-2,4 Euro/ litri që është aktualisht në shtetin fqinj.
Kreu i qeverisë greke arsyeton se kjo nismë është ndërmarrë për të ndihmuar familjet e shtresave të mesme dhe të ulëta për të përballuar shpenzimet gjatë pushimeve të sezonit veror. /tvklan.al/