LajmeRajon

Kosova feston 9 Majin – Ditën e Evropës

Deklarata e 9 majit e vitit 1950 është koha kur u hodh hapi i parë drejt krijimit të asaj që sot njihet si Bashkimi Evropian.

Ministri i Jashtëm i Francës, Robert Schuman lexoi për shtypin ndërkombëtar një deklaratë ku i bënte thirrje Francës, Gjermanisë dhe vendeve të tjera evropiane për t’i bashkuar prodhimet e tyre të qymyrit dhe çelikut, që do të ishte themeli i parë konkret për një federatë të ardhshme evropiane.

Vendet të cilave u drejtohej thirrja kishin dalë të rrënuara materialisht dhe moralisht nga konfliktet me njëra tjetrën.

Ajo që propozonte Schuman ishte krijimi i një institucioni evropian mbi kombëtar, i cili do të administronte industrinë e prodhimit të qymyrit dhe çelikut, sektor i cili në atë kohë ishte baza e fuqisë ushtarake.

Vite më vonë, në Samitin e Milanos në 1985, krerët e BE-së vendosën që data 9 maj të shpallej dhe festohej si Dita e Evropës.

Kjo ditë tashmë ka vite që festohet edhe në Kosovë, ku për nder të saj, do të organizohen aktivitete të ndryshme nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë.

Në orën 11:30, ambasadori i BE-së në Kosovë, Tomas Szunyog së bashku me ministren e Ekonomisë, Artane Rizvanolli do të zbulojë Muralin e Energjisë së Mirë pikturuar në murin anësor të ndërtesës së BE-së në Kosovë në Prishtinë, përballë ndërtesës së Qeverisë së Kosovës.

Në orën 12:00, do të marrë pjesë në masterklasën “Aftësitë e artit në rrugë” në Shtëpinë e Evropës në Prishtinë dhe në orën 18:00 do ta hapë ekspozitën “Vala tjetër”. Ndërsa, në ora 20:00, ai do ta hapë Koncertin e Chopin Piano Fest të Ditës së Evropës në Amfiteatrin e Ri të Bibliotekës Universitare në Prishtinë.

Show More

Related Articles

Back to top button