LajmeMaqedoni

Arben Taravari, politikani që punon ende si mjek…pa pagesë!

INTERVISTË ME KRYETARN E ALEANCËS PËR SHQIPTARËT, ARBEN TARAVARI PËR SMARTNEWS

Intervistë e Kryetarit të Aleancës për Shqiptarët Arben Taravari për Smartnews.

Smartnews: Ju jeni prej disa vitesh tashmë i angazhuar në politikë, si ndodhi?

Taravari: Po unë me profesion jam mjek, neurolog, dhe kisha dhe kam kontakt të ngushtë me pacientët e mi. Ata janë barometri im. Ata më shtynë të jem pjesë e politikës.

Smartnews: Pse thoni se keni kontakt? Ruani ende raporte me pacientët tuaj?

Taravari: Sigurisht që po. Unë avancova në politikë duke marrë poste shumë të rëndësishme si ministër i Shëndetësisë, kryetar i Komunës së Gostivarit, Sekretar Gjeneral i ASh-së dhe tashmë kryetar i saj. Në asnjë moment nuk e kam lënë punën dhe pacientët e mi. Konsultova ligjin dhe sipas tij ndoqa të drejtën time të ushtrimit të profesionit. Kështu çdo të mërkurë mua më gjeni në spitalin shtetëror “Nënë Tereza” duke i shërbyer pacientëve të cilët janë edhe kënaqësia më e madhe në karierën time. Të merresh me sfidat e sëmundjeve të ndryshme, të shërosh jetë njerëzish, të kthesh shpresën në sytë e njerëzve është një nga përvojat më të mira që një njeri mund të ketë nê jetë.

Smartnews: Ju po më thoni se pavarsisht jetës tuaj prej një politikani kariere dhe nga më të spikaturit në vend, çdo të mërkurë e ndani për pacientët tuaj?

Taravari: Po. E mërkura është dita ekskluzive e tyre. Madje ka pasur raste kur në program kam pasur edhe ndonjë takim me ndonjë kryetar shteti apo figurë të lartë politike, mirëpo ndërkohë kam pasur ndonjë pacient me rast urgjent…unë kam zgjedhur pacientin.

Smartnews: Më falni se pyetja është konfidenciale, por ne në Ballkan vdesim të dimë se sa paguheni e si paguheni. Jam kurioz të di: sa rroga ju bëhen në fund të muajit, sepse ju punoni si mjek, si kryetar Komune dhe si Kryetar partie?

Taravari: Nga këto që përmendet ju paguhen vetëm si kryetar Komune dhe si profesor sepse jap leksione në Universitetin e Mjekësisë në Shkup. Kurse si kryetar partie dhe si mjek nuk marrë
pagë.

Smartnews: Punoni si mjek falas?

Taravari: Po, punoj falas si mjek.

Smartnews: Jeni shumë ndryshe nga shumica e mjekëve dhe politikanëve që jemi mësuar të shohim këtu në Maqedoni z.Taravari. Ata jo vetëm që paguhen por madje edhe më shumë nga ç’ju takon…

Taravari: Po…për fat të keq kjo është një pjesë e realitetit por më lejo të flas për atë ushtri mjekësh të jashtëzakonshëm, të cilët edhe pse kanë oferta të mëdha dhe rroga shumë më të larta se këtu, vazhdojnë të zgjedhin vendin e tyre duke punuar në kushte shumë më të vështira se sa ato që ju ofron Perëndimi i cili ka kërkesë të madhe për mjekët e Maqedonisë dhe Ballkanit në përgjithësi. Unë mendoj se ata pak mjekë që na kanë mbetur duhet t’i vlerësojmë shumë sepse ata jo vetëm po ushtrojnë profesionin e tyre, por po kryejnë edhe një akt të madh patriotik si është qëndrimi këtu. Kurse sa për politikanët që pasurohen me politikë unë mendoj se janë patjetër hajdutë. Termi mund të jetë i rëndë por vërtetë mendoj se janë hajdutë. Unë jam djalë i vetëm, dhe nga baba im i ndjerë kam trashëguar jo pak gjëra, shtoji kësaj dhe faktin që angazhimi im si mjek dhe profesor me kohë të plotë kur nuk isha në politikë më sillte mē shumë të ardhura se sa tani. Por gjithshka që kam mundur të realizoj është blerja e një shtëpie edhe atë me kredi.

Nuk e kuptoj dhe as nuk ka sqarim logjik se si mund të vendosësh pasuri me karierën e politikanit! Ose më saktë e kuptoj, dhe i vetmi variant që mbetet është korupsioni dhe vjedhja e fondeve publike.

Smartnews: Ju jeni më i varfër se sa para se të hynit në politikë?

Taravari: Po dhe nuk kam ndonjë problem për këtë. Unë e dija këtë gjë dhe do vazhdoj ta bëj me koshiencë zgjedhjen time.

Smartnews: Partia juaj ështē në pushtet, disa zëra thonë se ju jeni i zgjedhuri i Ambasadave dhe kanë qënë ato që ju kanë sjellë në qeveri, keni ndonjë koment për këtë?

Taravari: Unë jam mik i mirë me ambasadorët dhe jam një fans i Perëndimit dhe demokracisë. Nga ana tjetër jam krenarisht i lindur në Ballkan, vend nga i cili ka buruar civilizimi i parë i kontinentit. Vet emri i saj është vendosur nga ne, ballkanasit e ngatërruar të kohëve moderne por tepër të qartë në kohët e lashta. Gjithë qëllimi im dhe i Perëndimit me siguri është të rindezim frymën evropiane ose më mirë gjenezën evropiane të këtyre trojeve dhe po, kjo është një e përbashkët që më lidh mua fort me ambasadat si thoni ju, dhe sidomos me disa ambasada.

Smartnews: Si ajo amerikane për shembull? Ju kemi parë të keni gjithnjë raporte të ngushta me ambasadën amerikane, si me ambasadorët që kanë ikur dhe me ata tē rinj?

Taravari: Amerika është në pozicion A në listën e miqve të Maqedonisē dhe po, për mua ajo dhe ambasadorët e saj mbajnë vlera të cilat i ndaj dhe unë, ndaj miqësia jonë është e natyrshme dhe e rëndësishme. Amerika është si të thuash vëllai nga i cili mund të marrësh këshilla më të mira!

Smartnews: Qartë. Si e parashikoni gjendjen politike në vend?

Taravari: Të vështirë por jo të pashpresë dhe sidomos me një të ardhme të përcaktuar pro-evropiane.

Smartnews: Si e komentoni faktin që jeni në qeveri me parti që i keni kritikuar?

Taravari: Po ne nuk kemi hyrë në Qeveri për t’i lavdëruar, madje kemi qëndrim kritik të vendosur për të gjitha ato gjëra të cilat mendojmë se menaxhohen gabim, dallimi i vetëm është që tani kritikat i themi në zyrat e mbledhjet që i bëjmë bashkë dhe ndajmë përgjegjësinë e punës. Mos harroni se partitë nuk janë armike me njëra-tjetrën, madje në thelb ato të gjitha një qëndrim të përbashkët, të mirën e njerëzve. Janë individë të caktuar të cilët abuzojnë me emrin e një partie duke e bërë situatën sa komike aq edhe tragjike. Duhet kuptuar nga ana tjetër se në një vend të varfër politika është dramatike. Është si një telenovelë, por kur do arrij një mirëqënie ekonomike dhe sociale ky vend, njerëzit do të jenë shumë pak të interesuar ndaj partive. Unë jam i lumtur që vendit sa vijnë dhe po i shtohen votuesit dhe po i pakësohen tifozat partiak.

Smartnews: Ku e sheh veten pas 10 vjetësh?

Taravari: Në Maqedoni, duke votuar ndonjë djalë apo vajzë të re si zgjidhja më e mirë politike, rrethuar nga djemtë e mi të cilët nuk do të jenë larguar sepse ky vend do e ketë gjetur mënyrën që t’i mbaj njerëzit këtu.

Show More

Related Articles

Back to top button