Jo vetëm Gostivari, po çdo qytet në Maqedoni e vendet e rajonit ballafaqohet me problemin e qenve endacakë. Kështu deklaron kryetari i Gostivarit, sipas të cilit, problemi në vendin tonë mund të zgjidhet vetëm nëse krijohet një qendër për trajtimin e tyre në nivel shteti. Propozimin e tij, Taravari e ka shpakosur në takimin e fundit në Gostivar edhe para ministres së ekologjisë, Kaja Shukova. Ai poashtu, propozon që ato qen që janë të shëndoshë të merren nën përkujdes nga familjet, ndërsa të tjerët të trajtohen në qendrën e cila do të ndërtoheshte nga shteti.
“Problemi me qentë endacak nuk është vetëm problem i Gostivarit, Tetovës, Velesit, Strumicës, Korçës, Tiranës, Prishtinës … çdo vend ka problem me qentë endacak. Unë mendoj se zgjidhje ideale për Maqedoninë është që të bëhet një qendër për trajtimin e qenve endacak, pasi problemi e dini ku është, ato barten nga një qytet te tjetri. Janë qen që gjenden në Maqedoni, Tetova i sjell në Gostivar, Gostivari nuk i çon askundi, por nga qytete tjera vazhdimisht barten qen dhe kjo nuk është në rregull. Nëse bëhet një qendër më e madhe, edhe këtë e biseduam me ministren e ambientit jetësor, mendoj se do ishte ideale. Krejt këta që bartin qen, do i dërgonin atje, mund të angazhohen disa veteriner që ti trajtojnë. Ato që mund të ndahen nëpër shtëpi që ti mbajnë njerëzit në rregull, ato të cilët nuk mund të mbahen të trajtohen dhe të qendrojnë periudhë më të gjatë në këtë qendër shtetërore”, deklaron kryetari i komunës së Gostivarit, Arben Taravari.
Sipas Taravarit, qentë të cilët sterilizohen, nuk jetojnë më shumë se tre vjet. Kjo gjë thotë ai vazhdimisht është bërë nga komuna e Gostivarit, por sërish qyteti është i mbushur, pasi qen sillen nga qytet të tjera.
“Të gjithë qentë të cilët operohen me sterilizim, shumica prej tyre nuk jetojnë më shumë se 2-3 vjet. Këtë e tregon edhe përvoja në qytetin tonë. Edhe pse kemi bërë trajtim të një numri të madh të qenve, edhe eutanazi atyre që kanë qenë të sëmurë, prap mund të konstatohet se në shumicën e qyteteve ne kemi plotë qen endacak të cilët krijojnë vërtetë nervozizëm edhe te qytetarët”, deklaron kryetari i komunës së Gostivarit, Arben Taravari.
Ndryshe, Komuna e Gostivarit ditë më parë ka hapur tender të ri për kapjen dhe trajtimin e qenve të pastrehë dhe të paregjistruar në territorin e saj. Thirrja publike, mbulon edhe mirëmbajtjen e stacionarit për mbajtjen e tyre në Gostivar. Sipas përshkrimit në dokumentet e tenderit, kërkohet një operator për kapjen e qenve endacaë, kryerjen e vaksinimit, testimin e sëmundjes leishmania, sterilizimin, vendosjen e çipave dhe transportin, si dhe sigurimin e ushqimit për kafshët. Tenderi është i hapur deri në mesin e këtij muaji dhe ofertuesi më i mirë, këtë shërbim do ta kryejë për një periudhë një vjeçare.