LajmeMaqedoni

Bruksel, vazhdon dialogu mes Kosovës dhe Serbisë

Dialogu mes Kosovës dhe Serbisë vazhdon sot në Bruksel, me takime të ndara të kryenegociatorëve të të dyja shteteve me të dërguarin e posaçëm të Bashkimit Evropian për dialogun, Mirosllav Lajçak. Lajçak, ka zhvilluar një takim bilateral me delegacionin serb të kryesuar nga kryenegociatori serb Petar Petkoviq. Ai pritet të ketë një takim të ngjashëm me delegacionin e Kosovës, të udhëhequr Besnik Bislimi. Pas përfundimit të takimeve të veçanta, sipas praktikës, duhet të organizohet një takim i përbashkët. Fokusi i takimeve është zbatimi i Marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit të raporteve dhe Aneksit të saj. Ky është takimi i parë i kryenegociatorëve pas takimit në nivel të lartë midis kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, më 2 maj në Bruksel. Në atë takim, liderët politikë u pajtuan për deklaratën e përbashkët për të zhdukurit nga lufta e fundit në Kosovë dhe aty u prezantua nga Ekipi Menaxhues drafti i parë i statutit për Asociacionin e komunave me shumicë serbe në Kosovë. Pritet që në takimin e sotëm të vazhdohen diskutimet për këto çështje, por të bisedohet edhe për situatën aktuale në veriun e Kosovës, të banuar me shumicë serbe, pas zgjedhjeve lokale të 23 prillit. I dërguari i BE-së, Mirosllav Lajçak, në prag të takimit në Bruksel, kishte shkruar në rrjetet sociale se është i nevojshëm një fokus i plotë në normalizimin e raporteve dhe në zbatimin e Marrëveshjes drejt normalizimit. Kosova dhe Serbia më 27 shkurt në Bruksel arritën Marrëveshjen drejt normalizimit të raporteve, ndërkaq më 18 mars në Ohër u pajtuan për Aneksin e zbatimit të saj./Alsat.mk

Show More

Related Articles

Back to top button