Presidenti bullgar, Rumen Radev ka kërkuar që qeveria e Bullgarisë të deklarohet lidhur me propozimin e presidencës franceze me BE-në për zhbllokim të rrugës evropiane të Maqedonisë së Veriut.
”Qasja aktuale nuk mund të funksionojë. Qeveria bullgare duhet të japë mendim në bazë të profesionalitetit të Ministrisë bullgare të Punëve të Jashtme dhe në çfarëdo mënyre të përditësojë pozitën kombëtare e më pas ta dërgojë në parlament për miratim”, deklaroi Radev në Lituani ku merr pjesë në forumin ”Tre dete”.
”Me të vërtetë që ka përparime. Ndryshimi i Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë së Veriut tanimë është pranuar të ndodhë. Në Sofje asnjëherë nuk kemi folur për pakicë, por barazi të bullgarëve maqedonas. Së pari të ndryshohet kushtetuta, pastaj të fillojnë negociatat me BE-në”, tha ai.
Kryeministri bullgar Kiril Petkov deklaroi se në Samitin e BE-së në Bruksel gjatë javës nuk do të shkojë me qëndrim të qeverisë lidhur me propozimin francez, por me vendim të parlamentit.
”Propozimi i presidencës franceze është tashmë në Kuvendin Kombëtar të Bullgarisë. Deputetët do të sjellin vendimin dhe ne do të përmbushim vullnetin e tyre”, theksoi Petkov.