LajmeRajon

Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Jashtme greke viziton sot në burg Fredi Belerin

Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë greke për Punët e Jashtme, Theocharis Lalakos, do të vijë në Shqipëri ditën e sotme për t’u takuar me kryebashkiakun e sapozgjedhur të Himarës, Fredi Belerin. Lajmi është publikuar nga televizioni shtetëror grek ERT. Sipas informacioneve, takimi vjen pas udhëzimeve të ministrit grek Nikos Dendias.

Përveç Belerit, Lalakos do të takojë edhe Pandeli Kokaveshin, i cili u arrestuar bashkë me kryetarin e zgjedhur të Himarës për korrupsion aktiv në zgjedhje.

“Sekretari i Përgjithshëm do të informohet për gjendjen shëndetësore të të arrestuarve, ndërkohë që në konsultim me Ambasadën greke në Shqipëri, do të shqyrtohen veprimet e radhës për trajtimin e rastit”, shkruan ERT.

Në takimin me Belerin dhe Kokaveshin do të marrë pjesë edhe ambasadorja greke në Tiranë, Konstantina Kamitsi. Siç shkruan ERT çdo gjë është vendosur sipas një udhëzimi të ministrit Dendias.

“Ambasadorja greke ka qenë në komunikim të vazhdueshëm me familjarët e të arrestuarve dhe avokatët e tyre”, shkruan ERT.

Kujtojmë që Fredi Beleri dhe Pandeli Kokaveshi u arrestuan dy ditë para zgjedhjeve të 14 Majit për korrupsion aktiv në zgjedhje. Prokuroria thotë se ka prova dhe fakte për shit-blerje votash. Për këtë thotë se ka kryer përgjime dhe vëzhgime në terren, ndërkohë që kanë pasur edhe një person të infiltruar. Më 13 Maj, Gjykata e Vlorës vendosi që të lerë në burg Belerin dhe çështjen ia kaloi SPAK-ut, Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (Lexo më shumë).

Megjithatë më 15 Maj, Fredi Beleri, i cili garonte nën siglën e koalicionit “Bashkë Fitojmë”, u shpall fitues i zgjedhjeve për Bashkinë e Himarës pavarësisht se gjendej në qeli. Në një garë të fortë përballë Jorgo Goros ai mori 19 vota më shumë (Lexo më shumë).

Arrestimi i Belerit ka shkaktuar reagim të fortë nga autoritetet greke që janë shprehur se vendime të tilla do të kenë ndikim në marrëdhëniet e BE-së me Shqipërinë. (Lexo më shumë)

Ndërkohë kryeministri Edi Rama është shprehur për gazetarët se do të flasë për këtë çështje pas përfundimit të zgjedhjeve në Greqi. Kreu i qeverisë tha se minoriteti grek nuk është mish për topat elektoralë të askujt, as në Shqipëri dhe as në Greqi. Sipas Ramës, askush nuk mund t’i kontestojë vendimet e drejtësisë në Shqipëri. Po ashtu ai theksoi se është i vendosur të bëjë maksimumin për të çuar në një nivel tjetër bashkëpunimin me dy vendeve (Lexo më shumë).

Fredi Beleri u bë pjesë e debatit politik para se të arrestohej, në javën e fundit të fushate. Shkak u bë një deklaratë e tij për një gazetë greke, ku përmendi një plan për helenizimin e Himarës. Këtë ai e mohoi më vonë duke thënë se ishte bërë një përkthim i gabuar (Lexo më shumë)./tvklan.al

Show More

Related Articles

Back to top button