Pranë Dhomave të Specializuara në Hagë në seancën e sotme ka nisur dëgjimi i dëshmitarit të pestë në gjykimin ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK). Dëshmia e të njëjtit ka filluar në sesion privat.
Pas një pauze 40 minutshe, kryetari i trupit gjykues, Charles L. Smith pasi është kthyer në sallë, ka njoftuar se për të mbrojtur dëshmitarin do të vazhdojnë në seancë private.
“Kalojmë në seancë private, kjo bëhet për të mbrojtur dëshmitarin”, ka thënë ai.
Gjatë ditës së sotme , dëshminë e ka përfunduar pranë Gjykatës Speciale dëshmitari i katërt, i cili i është përgjigjur pyetjeve të mbrojtjes së Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, të cilat po ashtu janë dëgjuar në seancë të mbyllur për publikun, ashtu siç nuk janë dëgjuar as edhe pyetjet e bëra nga ZPS-ja.
Gjykimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së ka nisur më 3 prill me deklaratat hyrëse të palëve.
Para trupit gjykues, Thaçi, Veseli, Selimi dhe Krasniqi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat për krime të pretenduara të luftës. Ata ndodhen në qendrën e paraburgimit në Hagës prej nëntorit të vitit 2020.