LajmeMaqedoni

Bytyqi përballë komunitetit të biznesit të Finlandës: Kemi një kornizë solide institucionale që u ofron bizneseve parashikueshmëri dhe mbështetje të fortë

Zëvendëskryeministri i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, përgjegjës për çështje ekonomike, koordinim me resorët ekonomikë dhe investimet, Fatmir Bytyqi, foli në hapjen e Forumit të Biznesit “Maqedoni e Veriut-Finlandë” me të cilin shënohet 30 vjetori i marrëdhënieve diplomatike ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Finlandës.

Në fjalimin e tij para ambasadorit të Republikës së Finlandës, Kimo Ladeverta, Konsulli të nderit të Finlandës, Svetozar Janevski, nënkryetarit të Odës Ekonomike të Maqedonisë së Veriut, Zoran Janevski dhe përfaqësuesve të komunitetit të biznesit të të dy vendeve, zëvendëskryeministri Bytyqi tha se shënimi i 30 vjetorit nga vendosja e marrëdhënieve diplomatike ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Finlandës flet për një nivel të lartë të besimit dhe mirëkuptimit të ndërsjellë politik, pa çështje të hapura apo probleme bilaterale, të cilat mund të vihen në funksion të mëtejshëm avancimi dhe thellimi i bashkëpunimit ekonomik mes dy vendeve, me theks të veçantë në investime.

Për zëvendëskryeministrin Bytyqi, stimulimi i interesit për realizimin e investimeve në vendin tonë mund të intensifikojë lidhjet ekonomike dhe të krijojë mundësi për partneritete reciprokisht të dobishme ndërmjet komuniteteve të biznesit në të dy vendet.

“Që nga viti 2018, kur u miratua Plani i Rritjes Ekonomike, ne kemi ofruar mbështetje transparente dhe të vendosur për kompanitë që operojnë ose dëshirojnë të investojnë në vendin tonë. Hapësira për diskriminim apo qasje vullnetare e çdo bartësi të pushtetit politik është plotësisht e mbyllur. Ne kemi një kornizë solide institucionale që ofron parashikueshmëri dhe mbështetje të fortë për biznesin tuaj, e cila përfshin masa të ndryshme që ofrojnë subvencione për hapjen e vendeve të reja të punës, subvencione në fushën e investimeve kapitale, për realizimin e projekteve investuese për kërkim dhe zhvillim, ku arrijnë në 50% nga kostot e pranueshme, si dhe mbështetje në eksport”, tha Bytyqi.

Në fjalimin e tij, zëvendëskryeministri Bytyqi iu referua synimeve kombëtare të Maqedonisë së Veriut për tërheqjen e investimeve të reja të huaja duke i mbështetur ato në zhvillimin e marrëdhënieve afariste me kompanitë vendore, prandaj përmes Ligjit për Mbështetjen Financiare të Investimeve ofrohet mbështetje financiare për vendosjen dhe avancimin e bashkëpunimit me furnitorët nga vendi ynë.

“Kjo masë le të jetë motiv shtesë për rrjetëzimin e suksesshëm të kompanive të Finlandës dhe të Maqedonisë sot në këtë Forum të Biznesit. Përveç fokusit në krijimin e një mjedisi atraktiv biznesi për investime të reja të huaja, ne jemi të përkushtuar edhe në forcimin e konkurrueshmërisë globale të kompanive vendore. Qeveria ofron mbështetje për kompanitë vendore në fushën e ngritjes së kapaciteteve të tyre për integrim në zinxhirët globalë të vlerës, pra aftësinë e tyre për të krijuar vlerë shtesë jo vetëm në tregun e brendshëm, por edhe në tregjet rajonale dhe globale”, tha Bytyqi.

Zëvendëskryeministri Bytyqi nënvizoi se në pjesën e ndërtimit të një ambienti afarist stabil dhe ligjor për investime të reja, Maqedonia e Veriut po bën një hap përpara duke ofruar mekanizma juridikë ndërkombëtarë shtesë për sektorin e biznesit.

“Vendi ynë është nënshkrues i konventave multilaterale për mbrojtjen e investitorëve të huaj dhe është pjesë e një numri të madh marrëveshjesh bilaterale për mbrojtjen e investimeve. Qeveria po ndërton imazhin e Maqedonisë së Veriut si një destinacion tërheqës për investitorët e huaj dhe përmes procedurave transparente ligjore dhe ofrimit të mbështetjes së vazhdueshme institucionale gjatë realizimit të mesatares së përgjithshme të investimeve”, tha Bytyqi.

Për zëvendëskryeministrin Bytyqi, kostot konkurruese të punës, taksat e ulëta dhe politikat nxitëse për investimet e huaja e kanë vendosur vendin tonë lart në hartën e vendeve të dëshiruara për investime, dhe sipas renditjes më të fundit vjetore të Bankës Botërore, ekonomia e Maqedonisë së Veriut renditet si e 17-ta nga 190 ekonomitë në botë për sa i përket lehtësisë së të bërit biznes.

“Se këto nuk janë thjesht fjalë apo vlerësime boshe, tregojnë edhe të dhënat se vitin e kaluar 2022, i cili u vlerësua si vite krize, vendi ynë ka realizuar një rekord prej 753 milionë euro investime të huaja, çka tregon se jemi ekonomi stimuluese, e besueshme, mbështetëse dhe e parashikueshme për kapitalin e huaj”, tha Bytyqi dhe theksoi stabilitetin politik si një argument të rëndësishëm për investitorët e huaj.

“Stabiliteti politik është një tjetër argument që ne ofrojmë për investitorët e huaj. Maqedonia e Veriut është anëtare e plotë e aleancës më të madhe dhe më të fuqishme të sigurisë në botë, NATO-s, dhe ne jemi të përkushtuar dhe të palodhur në rrugën për t’u bërë një shtet anëtar i plotë i BE-së. Me anëtarësimin e fundit në NATO, Finlanda është bërë edhe aleati ynë i sigurisë, gjë që mund të jetë një motiv plus për aleancat ekonomike, për marrëdhënie të reja biznesi dhe bashkëpunim të thelluar tregtar midis sektorëve të biznesit të të dy vendeve”, ka thënë Bytyqi.

Në fund, në fjalimin e tij, zëvendëskryeministri Bytyqi shprehu besimin se ky Forum Biznesi do të krijojë një shans, përmes dialogut ndërmjet përfaqësuesve të dy ekonomive, për shkëmbimin e përvojave, por edhe për shkëmbimin e vlerave të një rëndësie të veçantë për rritjen dhe zhvillimin e qëndrueshëm të ekonomive në shekullin e 21-të.

“Inkurajimi i kulturës së kërkimit dhe zhvillimit, digjitalizimit, edukimit dhe shkathtësive, ndërgjegjësimi për mirëqenien sociale dhe barazinë në shoqëri, praktikat e qëndrueshme në sektorët e teknologjisë së pastër dhe burimeve të rinovueshme të energjisë, kulturës së bashkëpunimit ndërmjet sektorit publik dhe privat, bashkëpunimi i mjedisit akademik dhe industrisë, ekuilibri mes punës dhe jetës, mirëqenia e punonjësve, janë vetëm një pjesë e vlerave që kanë një potencial unifikues për ekonominë e Maqedonisë dhe të Finlandës dhe që sinqerisht shpresoj se do të përdoret dhe konkretizohet në partneritete dhe investime të reja afariste”, tha zëvendëskryeministri i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, përgjegjës për çështje ekonomike, koordinim me resorët ekonomikë dhe investimet, Fatmir Bytyqi.

Show More

Related Articles

Back to top button