LajmeMaqedoni

Komisioni për Çështje Evropiane, propozim-ligji për shpronësim përplasë pushtetin dhe opozitën

Në Komisionin për Çështje Evropiane ka vazhduar debati për ndryshimet dhe plotësimet në ligjin për shpronësim. Nga VMRO-DPMNE akuzuan pushtetin se po e keqpërdorin  flamurin evropian për ndërtimin e korridoreve 8 dhe 10-D. Sipas tyre, ndryshimet e ligjeve nuk kanë asgjë të përbashkët me integrimin evropian. Por, ministri i Financave, Fatmir Besimi, tha se këto ndryshime bëhen për interesin e qytetarëve dhe do të vlejnë për të gjitha projektet që janë me interes publik.

“Bëhet fjalë për ndryshime ligjore të cilat nuk kanë të bëjnë vetëm për korridorin 8 dhe 10-D, por bëhet fjalë për gjëra të konstatuara me këtë proces dhe do të vlejnë për të gjitha projektet me interes publik dhe jo vetëm për infrastrukturën rrugore. Nuk bëhet fjalë për shpronësim në këto ndryshime, për shkak se ato janë të definuar në ligj, por vetëm precizim të të drejtave të qytetarëve me qëllim të shpejtohet procedura në terren.”, -deklaroi ministri i Financave, Fatmir Besimi.

Infrastruktura e mirë rrugore ndikon në zhvillimin ekonomik, tha Lidija Tasevska nga radhët e LSDM-së, e cila i porositi opozitën se nuk do të mund t’i ndalojnë projektet strategjike.

“Të gjithë qytetarët tanë pa marrë parasysh se në cilën pjesë të Maqedonisë jetojnë, meritojnë kushte solide për jetë. E dimë të gjithë se infrastruktura e mirë rrugore do të thotë ekonomi më e mirë dhe zhvillim më të mirë shoqërisë tonë. Për fat të keq nuk do të mund të ndaloni projektet strategjike infrastrukturore në këtë shtet.”, – theksoi Lidija Tasevska nga LSDM-ja. 

Por, deputeti Kovaçevski nga VMRO-DPMNE ka akuzuar se si mund të mbrohet marrëveshja pa e parë fare.

“A nuk është turp 300 milionë euro të jepen për penale dhe avance, ndërsa as një lopatë nuk është hedhur në projekt, a nuk është turp ta mbroni këtë. Më tregoni projekte, kilometra të rreme, Ohër-Kërçovë  duhej të ishte gati në vitin 2018, shpronësimi ende nuk është bërë në atë rrugë. Nuk mund të përfundoni një kilometër në Katllanovë, deri në Bllacë një kilometër, nuk mund të bëni.”, – u shpreh Dragan Kovacki nga VMRO-DPMNE.

Pas shqyrtimit në Komisionin për Çështje Evropiane propozim-ndryshimet dhe plotësimet në ligjin për shpronësim kalojnë në seancë plenare për miratim.

Show More

Related Articles

Back to top button